CNN: Shkencëtarët zbulojnë prova për atmosferë në një planet 49 vjet dritë larg Tokës
Shkencëtarët kanë zbuluar prova të reja që sugjerojnë se planeti jashtë Sistemit Diellor LHS 1140 b mund të ketë ruajtur një atmosferë, një zbulim që konsiderohet një hap i rëndësishëm në kërkimin e botëve potencialisht të banueshme.
Sipas CNN, planeti ndodhet rreth 49 vite dritë larg Tokës dhe është një nga kandidatët më premtues për studimin e kushteve që mund të lejojnë praninë e ujit të lëngshëm. Studimi, i udhëhequr nga shkencëtari planetar Collin Cherubim në bashkëpunim me një ekip ndërkombëtar, u publikua më 16 korrik në revistën shkencore Science.
I zbuluar në vitin 2017, LHS 1140 b klasifikohet si një “super-Tokë”, një planet shkëmbor me masë rreth 5.6 herë më të madhe se Toka dhe me një rreze 1.7 herë më të madhe. Ai rrotullohet rreth një ylli xhuxh të kuq dhe ndodhet në zonën e banueshme, ku temperaturat mund të lejojnë ekzistencën e ujit të lëngshëm nëse kushtet atmosferike janë të përshtatshme.
Për të studiuar planetin, astronomët analizuan dritën e yllit gjatë kalimit të planetit përpara tij. Gjatë këtij procesi, ata identifikuan gjurmë heliumi që po largohej nga atmosfera, duke sugjeruar se planeti ka ruajtur një shtresë atmosferike. Sipas studiuesve, prania e heliumit mund të nënkuptojë edhe ekzistencën e shtresave më të thella me gazra të tjerë.
Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se zbulimi i një atmosfere nuk është provë për ekzistencën e jetës. Atmosfera është një nga kushtet kryesore që mund të ndihmojë në ruajtjen e ujit të lëngshëm dhe mbrojtjen e sipërfaqes së planetit nga rrezatimi hapësinor.
Vëzhgimet e ardhshme me teleskopë të avancuar, përfshirë Teleskopin Hapësinor James Webb, pritet të ndihmojnë në identifikimin e molekulave si avulli i ujit, dioksidi i karbonit dhe gazra të tjerë, duke ofruar më shumë informacion mbi përbërjen e atmosferës së këtij planeti.
Sipas studiuesve, LHS 1140 b mbetet një nga objektet më premtuese për të kuptuar nëse planetët shkëmborë jashtë Sistemit Diellor mund të ruajnë kushte të favorshme për ujë dhe, potencialisht, për jetë.