Çdo veturë elektrike mund të karikohet pa kabllo

Çdo veturë elektrike mund të karikohet pa kabllo

Auto&Tech September 18, 2026 - 14:58

Kompania izraelite Electreon Wireless ka prezantuar në panairin IAA Transportation në Hannover sistemin Lite DOT, i cili mundëson karikimin pa kabllo të veturave elektrike dhe automjeteve të lehta komerciale.

Sistemi është krijuar për përdorim në parkingje private dhe në bazat e flotave të vogla, dhe jo për autostrada apo rrugë tranziti.

Lite DOT ofron fuqi karikimi deri në 11 kW përmes një pllake të vendosur në sipërfaqen e parkingut dhe një njësie kontrolli të montuar në mur. Nuk nevojiten kabllo, priza apo punime ndërtimore. Karikimi nis automatikisht sapo automjeti parkohet mbi pllakë dhe sistemi e identifikon atë.

Sistemi përdor teknologjinë e induksionit magnetik. Një spirale marrëse e vendosur në pjesën e poshtme të automjetit, e përshtatur për modelin përkatës, krijon lidhjen e nevojshme për transferimin e energjisë.

Njësia e kontrollit mund të montohet në murin e garazhit ose në një shtyllë jashtë tij, ndërsa procesi i karikimit menaxhohet përmes aplikacionit Electreon Flow. Sistemi funksionon në temperatura nga minus 30 deri në 50 gradë Celsius dhe është i përshtatshëm edhe për shi dhe borë.

Megjithatë, kompania ende nuk ka bërë të ditur çmimin, datën e fillimit të shitjeve apo tregun ku produkti do të jetë fillimisht i disponueshëm. Gjithashtu, Electreon nuk ka publikuar të dhëna për efikasitetin e Lite DOT.

Sipas të dhënave nga një stacion autobusësh në Rosh HaAyin të Izraelit, ku kompania përdor teknologji të ngjashme për karikim pa kabllo, është arritur efikasitet prej 89.3 për qind, me funksionim të sistemit në 99 për qind të kohës.