Kurti: Kosova ka mundësi të jashtëzakonshme në zhvillimin teknologjik
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të hapjes së edicionit të 13-të të DOKU.TECH, ku ka theksuar rëndësinë e teknologjisë dhe inovacionit për zhvillimin ekonomik të vendit.
Duke folur për temën e sivjetme, “E ardhmja thërret”, Kurti ka thënë se e ardhmja po ndërtohet përmes vendimeve që merren sot, dijes që zhvillohet dhe mundësive të reja që krijohen.
Ai ka vlerësuar potencialin e Kosovës në sektorin e teknologjisë, duke theksuar se vendi ka një popullsi të re dhe talent të dëshmuar në këtë fushë.
“Për Kosovën me popullsinë e saj të re dhe me talentin tashmë të dëshmuar në teknologji, këto zhvillime pa dyshim se përfaqësojnë një mundësi të jashtëzakonshme”, tha ai.
Sipas Kurtit, në Kosovë janë mbi 2 mijë e 500 kompani të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, ndërsa eksporti i shërbimeve në këtë sektor është rritur më shumë se pesëfish në katër vjet.
Ai ka bërë me dije se sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit përbën 6 për qind të bruto produktit vendor.
Kurti ka theksuar se ambicia e Kosovës duhet të jetë jo vetëm eksportimi i shërbimeve teknologjike, por edhe zhvillimi i produkteve, platformave dhe zgjidhjeve inovative brenda vendit.
Duke folur për digjitalizimin e shërbimeve publike, ai ka përmendur platformën e-Kosova, e cila ofron mbi 330 shërbime digjitale, si dhe lansimin e fundit të platformës kombëtare të identifikimit elektronik, nënshkrimit elektronik dhe kuletës digjitale.
Kurti ka folur edhe për zhvillimin e inteligjencës artificiale, duke vlerësuar se ajo krijon mundësi për inovacion dhe rritje të produktivitetit, por ka shtuar se përdorimi i saj duhet të respektojë të drejtat e qytetarëve, privatësinë dhe sigurinë e të dhënave.