A mund të ndihmojë inteligjenca artificiale personat me demencë të rikujtojnë të kaluarën?
Inteligjenca artificiale (IA) po ofron mënyra të reja për t’i ndihmuar personat me sëmundjen e Alzheimerit të rilidhen me kujtimet e tyre personale.
Humbja graduale e kujtesës te një person i dashur mund të jetë përvojë shumë e dhimbshme. Këtë e përjetoi edhe eurodeputetja belge Hilde Vautmans, kur babai i saj përfundimisht nuk arriti më ta njihte.Demenca prek aktualisht mbi 12 milionë njerëz në Evropë, ndërsa deri në vitin 2050 numri pritet të arrijë në 20 milionë. Sëmundja e Alzheimerit përbën 60 deri në 80 për qind të rasteve, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Krahas rëndësisë së diagnostikimit të hershëm, studiuesit po shqyrtojnë edhe mënyra për të përmirësuar cilësinë e jetës së personave që tashmë përjetojnë humbje të kujtesës. Një prej tyre është terapia përmes rikujtimit, e cila përdor fotografi, objekte dhe muzikë të njohur për të nxitur kujtimet dhe rrëfimin e përvojave personale.
Një qasje të re ofron projekti “Synthetic Memories”, i studios kreative ‘Domestic Data Streamers’ nga Barcelona. Përmes inteligjencës artificiale, ai shndërron kujtimet e rrëfyera nga personat me demencë në imazhe vizuale.
Gjatë një seance njëorëshe, intervistuesit i ndihmojnë pjesëmarrësit të përshkruajnë përvojat e tyre, ndërsa modelet e IA-së krijojnë pamje që i përfaqësojnë ato. Projekti, i nisur në vitin 2023 në qendra për të moshuarit në Spanjë, synon të mbështesë terapinë përmes rikujtimit, jo të shërbejë si kurë.
Nisma është shndërruar edhe në një ekspozitë udhëtuese, “The Memory Radio Station”, e cila po viziton qytete evropiane për të rritur ndërgjegjësimin për demencën. Vizitorët mund të ndajnë kujtimet e tyre dhe t’i shohin ato të shndërruara në imazhe.
Diagnostikimi i hershëm përmirëson cilësinë e jetës
Diagnostikimi i hershëm dhe i saktë mund të ulë ankthin, të ndihmojë në ruajtjen e pavarësisë dhe të mundësojë qasjen në trajtime që janë më efektive në fazat e hershme të sëmundjes.
Megjithatë, mungesa e njohurive për simptomat mbetet pengesë. Një anketë në 12 vende evropiane tregoi se më pak se gjysma e 681 pjesëmarrësve e dinin se Alzheimeri është forma më e zakonshme e demencës.
Edhe pse nuk ekziston një mënyrë e garantuar për ta parandaluar sëmundjen, faktorë si ushqyerja, aktiviteti fizik dhe duhanpirja mund të ndikojnë në rrezikun e zhvillimit të saj.
Për këtë arsye, ndërgjegjësimi për simptomat dhe kërkimi i ndihmës mjekësore në kohë janë thelbësore. /Gazeta Shneta