SHBA-ja ndërpret operacionin e nxjerrjes së anijeve të bllokuara në Hormuz
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar operacionin ushtarak për shoqërimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit, më pak se 48 orë pas nisjes së tij.
Presidenti amerikan, Donald Trump, bëri të ditur se vendimi është marrë pas një kërkese nga Pakistan, i cili ka ndërmjetësuar në bisedimet mes SHBA-së dhe Iran. Sipas tij, është arritur “progres i madh drejt një marrëveshjeje të plotë dhe përfundimtare” me Teheranin, raporton BBC.
Megjithatë, Trump theksoi se bllokada amerikane ndaj porteve iraniane do të mbetet ende në fuqi.
Nga ana tjetër, mediat shtetërore iraniane e kanë cilësuar këtë vendim si një “tërheqje”, duke e lidhur me “dështimet e vazhdueshme” të Trump për të rihapur këtë rrugë të rëndësishme për tregtinë globale.
Pak para këtij njoftimi, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se ofensiva fillestare SHBA-Izrael në Iran, e njohur si “Operation Epic Fury”, ka përfunduar pasi ka arritur objektivat e saj.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga korridoret më të rëndësishme detare për transportin global të naftës dhe zhvillimet atje ndiqen me vëmendje të madhe ndërkombëtare. /Rtk