NetBlocks: Ndërprerja e internetit në Iran ka hyrë në ditën e 72-të
Ndërprerja e internetit e vendosur nga regjimi iranian ka hyrë në muajin e tretë, sipas organizatës monitoruese “NetBlocks”, ndërsa ende nuk ka asnjë sinjal se kur mund të rikthehet qasja e plotë, raportoi CNN.
Sipas “NetBlocks”, bllokada ka kaluar tashmë 1,704 orë.
“Kjo masë e paprecedentë ka hyrë në muajin e tretë, pa asnjë tregues për rikthim më të gjerë të shërbimit, ndërsa autoritetet vazhdojnë t’i mohojnë publikut aksesin ndërkombëtar në internet”, deklaroi organizata.
Kufizimet janë në fuqi që prej 28 shkurtit, pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, duke pasuar një tjetër ndërprerje më të shkurtër të internetit në janar, gjatë protestave antiqeveritare.
Protestat u shoqëruan me një goditje të ashpër nga autoritetet iraniane.
Irani ka përdorur vazhdimisht ndërprerjen e internetit gjatë periudhave të trazirave, duke kufizuar rëndë ose ndërprerë plotësisht qasjen në internetin global, duke i bërë të paarritshme faqet dhe aplikacionet e huaja.
Gjatë bllokimeve të mëdha, autoritetet zakonisht mbajnë funksionale pjesë të internetit të brendshëm, duke lejuar akses në shërbimet bankare dhe ato qeveritare vendase, ndërsa komunikimi me botën e jashtme ndërpritet.