Pas Trumpit edhe Putini vizitë së shpejti në Pekin
Presidenti rus Vladimir Putin po planifikon një vizitë në Kinë, menjëherë pas udhëtimit të presidentit amerikan Donald Trump në Pekin, sipas njoftimeve nga Moska.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi sot për agjencinë shtetërore ruse TASS se përgatitjet për vizitën janë mbyllur dhe është rënë dakord me palën kineze.
Ai shtoi se një njoftim zyrtar do të bëhet “shumë, shumë shpejt” në koordinim me Pekinin, duke theksuar se Moska nuk dëshiron të nxitohet.
Më herët, gazeta hongkongase “South China Morning Post”, duke cituar burime anonime, raportoi se vizita mund të zhvillohet më 20 maj. Ministria e Jashtme kineze nuk e konfirmoi datën kur u pyet nga mediet.
Ndërkohë, presidenti Trump u largua sot nga Pekini pas një vizite shtetërore në Kinë.
Presidenti Putin e vizitoi për herë të fundit Pekinin vitin e kaluar, kur mori pjesë në një paradë ushtarake me rastin e 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore./atsh