Banorët e Grenlandës protestojnë kundër Trumpit jashtë konsullatës së re amerikane
Qindra banorë të Grenlandës u mblodhën të premten jashtë një konsullate të re amerikane në kryeqytetin Nuuk për të protestuar kundër ambicies së Donald Trump për ndikim më të madh mbi ishullin.
Protesta kulmoi një javë në të cilën i dërguari special i presidentit amerikan në Groenlandë, Jeff Landry, bëri udhëtimin e tij të parë në territor, një pjesë gjysmautonome e Danimarkës, shkruan BBC.
“Qeveria jonë i ka thënë tashmë Donald Trump dhe administratës së tij se Groenlanda nuk është në shitje”, tha Aqqalukkuluk Fontain, i cili organizoi protestën.
Inaugurimi i konsullatës së re dhe vizita e Landry-t vijnë mes përpjekjeve për të lehtësuar tensionet diplomatike pas kërkesave të presidentit amerikan për të kontrolluar ishullin për shkak të shqetësimeve të sigurisë kombëtare.
Turma prej disa qindra njerëzish eci nëpër qendër të qytetit duke brohoritur “Grenlanda është për grenlandezët”, përpara se të qëndronin në heshtje me shpinën kthyer nga konsullata.
“Mesazhi ynë është për popullin amerikan dhe për pjesën tjetër të botës”, tha Fontain, 37 vjeç, për BBC-në. “Se në një botë demokratike, jo do të thotë jo.”
Duke qëndruar mes turmës së protestuesve, Inge Bisgaard i tha BBC-së se vizita e Landry-t tregoi mungesë respekti. “Është shumë e rëndësishme të tregojmë se kjo nuk është në rregull.”
“Këtë frikë e kemi nga Shtetet e Bashkuara. Njerëzit sapo po rikuperoheshin nga hera e fundit, kur gjithçka filloi përsëri në janar”, tha ajo, duke iu referuar deklaratave të Trumpit, që SHBA-ja të “zotëronte” Grenlandën. /abcnews