Shefi i NATO-s mirëpret vendimin e Trumpit për pesë mijë trupa shtesë në Poloni
Presidenti Donald Trump tha se SHBA-ja do të dërgojë edhe 5.000 trupa shtesë në Poloni, një javë pasi Pentagoni anuloi një dislokim të planifikuar prej 4.000 trupash në vend.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e mirëpriti vendimin përpara një takimi të ministrave të jashtëm në Suedi, duke shtuar se rruga drejt një Europe më pak të varur nga SHBA-ja “do të vazhdojë”.
Duke shkruar në platformën e tij Truth Social të enjten, Trumpi tha se vendimi bazohej në marrëdhënien e SHBA-së me presidentin polak Karol Nawrocki, të cilin ai e kishte mbështetur gjatë zgjedhjeve presidenciale vitin e kaluar.
Ai nuk dha detaje të mëtejshme nëse trupat shtesë ishin pjesë e dislokimit të mëparshëm të planifikuar apo një operacion tjetër.
Shtëpia e Bardhë ka sinjalizuar javët e fundit se synon të reduktojë nivelin e përgjithshëm të trupave në Evropë si pjesë e axhendës “America First”.
Marco Rubio pritet të kërkojë ndarje më të madhe të barrës nga partnerët e NATO-s në bisedimet e së premtes në Helsingborg.
Duke folur me gazetarët të premten në mëngjes, ai tha: “Pikëpamjet e presidentit janë sinqerisht zhgënjim ndaj disa aleatëve tanë në NATO dhe reagimit të tyre ndaj operacioneve tona në Lindjen e Mesme.
“Ndërkohë ka fusha të tjera ku ne vazhdojmë bashkëpunimin”, shtoi ai, duke përmendur njoftimin për Poloninë.