Shpërthen “Blue Origin” gjatë një testimi në Florida
Një raketë e madhe e kompanisë hapësinore “Blue Origin”, e themeluar nga Jeff Bezos, shpërtheu sot gjatë një testi në bazën e lëshimit në Kepin Kanaveral, në shtetin amerikan të Floridas.
Kompania po kryente një provë të njohur si zjarr statik të raketës së saj të rëndë “New Glenn”, në kuadër të përgatitjeve për fluturimin e katërt që pritej të zhvillohej brenda javëve të ardhshme.
Pamjet e transmetuara drejtpërdrejt nga “NASASpaceFlight.com” treguan një shpërthim të fuqishëm në platformën e lëshimit gjatë testit.
Sipas procedurave standarde të sigurisë, zonat e lëshimit zakonisht pastrohen nga personeli përpara kryerjes së testeve të tilla, ndaj nuk raportohet për të lënduar.
“I gjithë personeli është i regjistruar dhe i sigurt. Është shumë herët për të përcaktuar shkakun e saktë, por tashmë kemi nisur hetimet. Ka qenë një ditë shumë e vështirë, por do të rindërtojmë gjithçka që është e nevojshme dhe do të rikthehemi në fluturim. Ia vlen”, shkroi Bezos në rrjetin social X.
“Blue Origin” synonte të realizonte deri në 12 lëshime të raketës “New Glenn” gjatë këtij viti. Raketa pritet të luajë gjithashtu një rol të rëndësishëm në programin hënor “Artemis Program” të NASA-s, i cili synon rikthimin e astronautëve në Hënë dhe krijimin e një pranie të qëndrueshme njerëzore në sipërfaqen e saj.