Negociatat SHBA–Iran ende të brishta, pa marrëveshje përfundimtare
Pavarësisht sinjaleve për përparim diplomatik mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, negociatat për përfundimin e konfliktit mbeten të brishta, ndërsa çështjet bërthamore dhe tensionet ushtarake vazhdojnë të pengojnë arritjen e një marrëveshjeje finale.
Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, deklaroi se ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare, pasi disa pika kyçe mbeten të pazgjidhura. Ai theksoi se është herët për të thënë “kur ose nëse” do të finalizohet një marrëveshje mes dy vendeve.
Megjithatë, zyrtarë amerikanë kanë bërë të ditur se është arritur një kornizë paraprake marrëveshjeje, e njohur si memorandum mirëkuptimi, e cila pret miratimin e presidentit Donald Trump dhe udhëheqjes iraniane. Kjo marrëveshje parashihet të zgjasë armëpushimin për 60 ditë dhe të hapë negociata për programin bërthamor iranian.
Vance shtoi se negociatorët po diskutojnë ende disa çështje teknike, veçanërisht lidhur me pasurimin e uraniumit, por nënvizoi se palët janë “shumë afër” një marrëveshjeje dhe se Uashingtoni beson që Irani po negocion “me mirëbesim”.
Sipas raportimeve, dokumenti parasheh rihapjen e lundrimit të lirë në Ngushticën e Hormuzit, heqjen e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane dhe lehtësimin e sanksioneve për eksportin e naftës. Në këmbim, Irani do të kishte 30 ditë kohë për të larguar minat detare nga ky korridor strategjik.
Megjithatë, çështja më e ndërlikuar mbetet programi bërthamor iranian dhe rezervat e uraniumit të pasuruar. SHBA-ja kërkon që Irani të ndalojë pasurimin në nivele të larta dhe të heqë dorë nga rezervat ekzistuese, të cilat mund të përdoren për armë bërthamore. Ndërkaq, Irani këmbëngul se programi i tij është për qëllime paqësore.
Nga ana tjetër, agjencia iraniane Tasnim raportoi se drafti i marrëveshjes nuk është finalizuar apo konfirmuar zyrtarisht. Edhe Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë raportimet për një draft jozyrtar prej 14 pikash, duke e cilësuar atë si “trillim të plotë”.
Presidenti Donald Trump, i cili po përballet me presion në rritje për t’i dhënë fund konfliktit, po shqyrton nëse marrëveshja është mjaftueshëm e fortë dhe më e favorshme sesa ajo bërthamore e vitit 2015, nga e cila u tërhoq gjatë mandatit të tij të parë. Ai dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kanë paralajmëruar se rikthimi i operacioneve ushtarake mbetet ende “opsion në tavolinë”.
Ndërkohë, tensionet vazhdojnë edhe në terren. Garda Revolucionare Islamike e Iranit pretendoi se ka goditur një bazë amerikane në rajon, ndërsa media shtetërore iraniane raportoi për rrëzimin e një mjeti ajror amerikan. Këto pretendime u mohuan nga Komanda Qendrore e SHBA-së, e cila deklaroi se asnjë aeroplan amerikan nuk është rrëzuar.