Lëvizjet demografike në Zvicër - vazhdon rënia e lindjeve, numri i vdekjeve mbetet stabil
Zvicra po përballet me një rënie të vazhdueshme të numrit të lindjeve, një trend ky që po vërehet për të katërtin vit radhazi.
Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave dhe të raportuara nga radiotelevizioni publik zviceran SRF, gjatë vitit 2025 në Zvicër u regjistruan 78’200 lindje, që është një rënie e lehtë prej 0.1 për qind në krahasim me vitin paraprak.
Megjithatë, kjo rënie është pak më e butë në krahasim me vitet e kaluara, ku në vitin 2024 tkurrja e lindjeve ishte mbi 2 për qind.
Nga ana tjetër, numri i vdekjeve në vend mbetet pothuajse i pandryshueshëm. Gjatë vitit 2025 u regjistruan 71’900 raste të vdekjeve, pothuajse njëjtë si në vitin 2024.
Statistikat tregojnë gjithashtu një ndryshim interesant sa i përket moshës së nënave. Lindjet ranë te gratë nën moshën 35 vjeçare, ndërsa u rritën me mbi 3 për qind te gratë mbi këtë moshë, gjë që e ka çuar moshën mesatare të nënave gjatë lindjes në 32.5 vjeç.
Aktualisht, shkalla mesatare e lindshmërisë në Zvicër ka rënë në 1.28 fëmijë për grua, një fenomen ky që po prek edhe vendet fqinje si Franca apo Italia. Përveç rënies së lindjeve, Zyra Federale e Statistikave bëri të ditur se në Zvicër ka pasur edhe një rënie të numrit të martesave dhe të divorceve gjatë vitit të kaluar.