Lista Serbe mobilizon punëtorët e Institucioneve paralele për tubimin e Vuçiçit në Beograd

Lista Serbe mobilizon punëtorët e Institucioneve paralele për tubimin e Vuçiçit në Beograd

Bota June 24, 2026 - 17:57

Punonjës të institucioneve paralele serbe në Kosovë pretendojnë se po përballen me presion për të marrë pjesë në tubimin politik të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i paralajmëruar për 27 qershor në Beograd.

Sipas dëshmitarëve të kontaktuar nga portali VeritasInfo, në disa institucione tashmë po përgatiten lista me emrat e të punësuarve që pritet të udhëtojnë drejt Serbisë, raporton KosovaPress

Burimet pohojnë se në sektorë të ndryshëm, përfshirë arsimin, shëndetësinë, i ashtuquajturi autoritet i përkohshëm dhe ndërmarrja komunale “Standard”, po hartohen lista me emrat e punonjësve që pritet të marrin pjesë në këtë aktivitet.

Sipas tyre, pjesëmarrja paraqitet zyrtarisht si vullnetare, megjithatë në praktikë thuhet se po ushtrohet presion ndaj të punësuarve për të siguruar një numër sa më të madh pjesëmarrësish.

“Askush nuk ju thotë drejtpërdrejt se duhet të shkoni, por drejtorët e institucioneve, të cilët janë të gjithë nga Lista Serbe, e bëjnë të qartë se do ta dinë kush ka qenë i pranishëm dhe kush jo”, ka deklaruar një nga dëshmitarët për Veritasinfo.