Moska ndërton mbrojtje raketore pranë fondacionit të vajzës së Putinit

Moska ndërton mbrojtje raketore pranë fondacionit të vajzës së Putinit

Bota June 28, 2026 - 11:06

Moska po e ndërton një kompleks të ri të mbrojtjes raketore pranë një instituti kërkimor të lidhur me vajzën e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, duke i vazhduar përpjekjet për të forcuar mbrojtjen e kryeqytetit kundër sulmeve të mundshme raketore nga Ukraina.

Shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë (REL) ka zbuluar se është ngritur një platformë prej betoni dhe janë vendosur sisteme të mbrojtjes ajrore, S-400, në tokën e selisë së Fondacionit “Innopraktika”, një projekt me vlerë 1.7 miliardë dollarë, i mbështetur nga Qeveria dhe i drejtuar nga vajza më e vogël e Putinit, Katerina Tikhonova.

I vendosur në një zonë të lartë në qendër të qytetit, më pak se 10 kilometra nga Kremlini dhe rreth 300 metra nga një godinë e Universitetit Shtetëror të Moskës, ky kompleksi i ri është të paktën objekti i pestë i këtij lloji në një unazë të re mbrojtëse brenda kryeqytetit rus.

Sipas imazheve satelitore të kantierit, forma dhe përmasat e tij përputhen plotësisht me instalime të tjera të ngjashme ushtarake në Moskë, të identifikuara në fillim të këtij muaji nga REL-i.

Ushtria ruse ka ndërtuar tashmë infrastrukturë të ngjashme mbrojtëse në Moskë duke përdorur sistemet raketore, Pantsir-S1, të cilat shërbejnë për mbrojtje kundër sulmeve me dronë nga Ukraina.

Megjithatë, komplekset e reja, S-400, të projektuara për të kapur dhe rrëzuar raketa, duket se synojnë luftimin e raketave balistike të Ukrainës.

Më 24 qershor, një nga prodhuesit më të mëdhenj ukrainas të pajisjeve të mbrojtjes, Fire Point, njoftoi se kishte zhvilluar dy raketa balistike, të parat të prodhuara plotësisht në Ukrainën e pavarur.

Në muajt e fundit, ushtria ukrainase ka shtuar ndjeshëm sulmet me dronë me rreze të gjatë veprimi brenda Rusisë, duke shkaktuar mungesën më të madhe të karburantit në gjithë Rusinë në vitet e fundit.

Të paktën 17 rajone kanë vendosur kufizime të detyrueshme për shitjen e benzinës dhe naftës, ndërsa dhjetëra rajone të tjera kanë raportuar mungesa ose kufizime të vendosura nga kompanitë private të karburanteve.

Rusia përballet me mungesa të mëdha të benzinës

Autoritetet ruse dhe kompanitë e karburanteve kanë vendosur kufizime të ndryshme për shitjen e benzinës, ndërsa mungesat janë përhapur në mbarë vendin. Kufizime të ngjashme janë raportuar edhe në pjesët e Ukrainës të pushtuara nga Rusia.

Megjithëse këto zhvillime kanë rritur pakënaqësinë e qytetarëve rusë më shumë se katër vjet pas fillimit të luftës, Kremlini nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të zbusë qëndrimet e tij të ashpra për përfundimin e konfliktit.

Si përgjigje, më 25 qershor, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se kishte miratuar një operacion ushtarak 40-ditor të shërbimit të sigurisë së vendit për të "ndikuar mbi shtetin agresor me qëllim për ta detyruar atë ta përfundojë luftën".

Ndërkohë, ndërtimi i kompleksit të ri të mbrojtjes ajrore në Innopraktika është një tjetër tregues i vëmendjes së veçantë që u kushtohet objekteve të lidhura me Putinin dhe familjen e tij.

Që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022, janë ndërtuar më shumë se 25 pozicione të mbrojtjes ajrore – përfshirë një kompleks S-400 – në Valdai, një qytet buzë liqenit, i rrethuar me pyje, të cilin Putini e pëlqente si rezidencë pas nisjes së luftës.

Partnerja e supozuar e presidentit rus, Alina Kabaeva, raportohet se e ka vizituar shpesh këtë kompleks së bashku me fëmijët që pretendohet se janë të saj dhe të Putinit. /REL