Obama mesazh për 250-vjetorin e SHBA-së: Demokracia duhet të mbrohet dhe të forcohet vazhdimisht
Ish-presidenti amerikan Barack Obama ka publikuar një mesazh me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke vënë theksin te rëndësia historike e Deklaratës së Pavarësisë dhe nevoja për mbrojtjen e vazhdueshme të demokracisë.
Obama thekson se ideja e vetëqeverisjes në vitin 1776 ishte një hap i madh për kohën, ndërsa kujton se nga Revolucioni Amerikan lindi Deklarata e Pavarësisë, e cila shpalli barazinë dhe të drejtat e patjetërsueshme të njeriut.
Ai pranon se themeluesit nuk e realizuan plotësisht këtë premtim historik, pasi skllavëria vazhdoi të ekzistojë dhe e drejta e votës ishte e kufizuar vetëm për burrat e bardhë pronarë. Megjithatë, sipas tij, Kushtetuta dhe Karta e të Drejtave krijuan bazën mbi të cilën brezat e mëvonshëm kanë zgjeruar liritë dhe të drejtat civile.
Në mesazhin e tij, Obama nënvizon se për më shumë se dy shekuj, përmes protestave dhe angazhimit qytetar, është zgjeruar kuptimi i parimit “Ne, populli”.
Në fund, ai thekson se puna për demokracinë nuk ka përfunduar dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm.
“Tani nuk mund të bëhemi të vetëkënaqur. Kemi ende shumë punë për të bërë për të mbrojtur demokracinë tonë dhe për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë”, ka deklaruar Obama.