Tajvani në gatishmëri, tajfuni më i fuqishëm që prej 1995-ës drejt ishullit

Tajvani në gatishmëri, tajfuni më i fuqishëm që prej 1995-ës drejt ishullit

Bota July 09, 2026 - 19:33

Tajfuni Bavi po i afrohet Tajvanit, duke shkaktuar dallgë disa metra të larta dhe erëra shumë të forta. Sipas autoriteteve meteorologjike, stuhia pritet të godasë veriun e ishullit të premten dhe të shtunën, 10 dhe 11 korrik, përpara se të vazhdojë drejt Kinës.

Shërbimi Meteorologjik i Tajvanit paralajmëroi se erërat mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme, veçanërisht në qytetin portual Keelung dhe qarkun Yilan.

Bavi, që në fillim të javës u klasifikua si supertajfun, tani ka humbur disi forcën, por ende shoqërohet me erëra të qëndrueshme deri në 184 km/orë dhe shpërthime që arrijnë 227 km/orë.

Meteorologët thonë se, me një rreze erërash prej rreth 380 kilometrash, Bavi është tajfuni më i madh që ka prekur Tajvanin që nga viti 1995.

Autoritetet kanë pezulluar shumicën e linjave të trageteve drejt ishujve përreth dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin bregdetin. Në disa zona janë regjistruar dallgë deri në 6 metra.

Peshkatarët janë kthyer me nxitim në port, ndërsa banorët kanë marrë masa për të mbrojtur anijet dhe pronat e tyre. Edhe në ishujt jugperëndimorë të Japonisë janë mbyllur shkollat dhe supermarketet, ndërsa dhjetëra fluturime janë anuluar.

Pas kalimit pranë Tajvanit, tajfuni pritet të godasë bregun lindor të Kinës gjatë fundjavës.

Kina është përballur tashmë këtë javë me mot ekstrem, ku stuhitë kanë shkaktuar 17 viktima, përmbytje të shumta dhe dëmtime të infrastrukturës.

Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat rekord të oqeaneve dhe fenomeni klimatik El Niño po favorizojnë krijimin e stuhive më të fuqishme dhe reshjeve më intensive.