Trump: Ngushtica eështë e hapur

Trump: Ngushtica eështë e hapur

Bota July 12, 2026 - 18:29

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi sot se Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur për lundrim, duke kundërshtuar pretendimet e Iranit se kalimi strategjik detar është mbyllur pas përshkallëzimit të ri të konfliktit mes dy vendeve.

Në një intervistë për NBC, Trump tha se SHBA-ja ka goditur rëndë objektivat iraniane gjatë natës, ndërsa theksoi se rruga detare vazhdon të jetë e hapur.

Edhe Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM) hodhi poshtë deklaratat e Teheranit, duke theksuar se Irani nuk e kontrollon Ngushticën e Hormuzit, e cila mbetet një rrugë ujore ndërkombëtare, dhe se forcat amerikane janë të gatshme të garantojnë lirinë e lundrimit.

Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) njoftoi se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur “deri në një njoftim të dytë” dhe deri në përfundimin e, sipas saj, ndërhyrjes ushtarake amerikane në rajon.

Kjo deklaratë erdhi pas sulmeve të reja amerikane ndaj objektivave iraniane, të kryera si kundërpërgjigje ndaj një sulmi mbi një anije kontejnerësh me flamur të Qipros në këtë ngushticë.

Sipas IRGC-së, forcat iraniane qëlluan me të shtëna paralajmëruese dhe ndaluan anijen pasi ajo po lëvizte në një itinerar të paautorizuar.

Ndërkohë, CENTCOM deklaroi se në bord shpërtheu një zjarr, duke shkaktuar dëme të mëdha në dhomën e motorëve dhe duke e bërë të pamundur vazhdimin e udhëtimit për anijen rreth 300 metra të gjatë.

Shtetet e Bashkuara reaguan me sulme ndaj rreth 140 objektivave ushtarake iraniane gjatë natës, në valën e tretë të bombardimeve brenda një jave. Irani u kundërpërgjigj me raketa dhe dronë ndaj objektivave të lidhura me SHBA-në në Jordani, Kuvajt, Bahrein dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. /atsh