KE: Ndotja nga azoti i kushton BE-së deri në 182 miliardë euro në vit

KE: Ndotja nga azoti i kushton BE-së deri në 182 miliardë euro në vit

Bota July 16, 2026 - 08:07

Komisioni Evropian ka publikuar vlerësimin e parë gjithëpërfshirës të Direktivës së Nitratit të vitit 1991, duke paralajmëruar se ndotja nga azoti e shkaktuar nga bujqësia i kushton Bashkimit Evropian midis 68 dhe 182 miliardë euro në vit.

Këto kosto përfshijnë edhe trajtimin e ujit të pijshëm, dëmet ndaj mjedisit dhe humbjet në biodiversitet.

Direktiva vendos kufij për përqendrimin e nitrateve në ujë dhe detyron shtetet anëtare të marrin masa për të mbrojtur lumenjtë, liqenet dhe ujërat nëntokësore nga ndotja e shkaktuar nga përdorimi i plehrave kimike dhe organike në bujqësi.

Nitrati është një përbërës i azotit që bimët e përthithin për t’u rritur, por kur përdoret në sasi të tepërta, ai përfundon në tokë dhe në burimet ujore, duke dëmtuar ekosistemet.

Sipas raportit, zbatimi i Direktivës së Nitratit ka sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike.

Vlerësohet se masat e marra kanë kursyer çdo vit 10 deri në 22 miliardë euro, ndërsa kostot e zbatimit arrijnë në 2,8–3,1 miliardë euro në vit për fermerët dhe autoritetet publike. Këto shpenzime lidhen me monitorimin e cilësisë së ujit dhe kontrollin e respektimit të rregullave.

Komisioni thekson se, për fermerët, kostot përfaqësojnë më pak se 1% të kostove të prodhimit, ndërsa kërkesat e direktivës kanë ndihmuar në uljen e ndotjes në shumë rajone të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, institucioni evropian pranon se ka ende hapësirë për thjeshtimin e procedurave dhe uljen e barrës administrative.

Në muajt e ardhshëm, Komisioni do të zhvillojë diskutime me shtetet anëtare për mënyra më efikase të menaxhimit të tepricave të plehut organik, zonave me dendësi të lartë blegtorale dhe për lehtësimin e procedurave administrative, veçanërisht për fermat e vogla.

Gjithashtu do të shqyrtohet mundësia e zbutjes së disa kufizimeve që lidhen me periudhat kur ndalohet shpërndarja e plehrave në tokë. /atsh