Zjarret në Kanada mbulojnë me tym SHBA-në, alarm për cilësinë e ajrit në qytetet kryesore
Mbi 800 vatra zjarri në pyjet e Kanadasë kanë përkeqësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit në pjesë të mëdha të Shteteve të Bashkuara, ndërsa një re e dendur tymi ka mbuluar qytete si Nju-Jorku, Çikago, Detroiti, Toronto dhe zona të tjera të verilindjes së Amerikës së Veriut.
Autoritetet amerikane kanë lëshuar alarme për cilësinë e ajrit, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin aktivitetet në natyrë për shkak të rrezikut të lartë për shëndetin.
Si pasojë, janë anuluar dhjetëra aktivitete publike, kampet verore për fëmijë dhe koncerte, ndërsa disa plazhe janë mbyllur.
Guvernatorja e shtetit të Nju Jorkut, Kathy Hochul, e cilësoi situatën si një “emergjencë serioze shëndetësore”, duke paralajmëruar se tymi ka mbuluar pjesën më të madhe të shtetit dhe e bën të rrezikshme qëndrimin jashtë.
Sipas Sistemit Kanadez të Informacionit për Zjarret në Pyje, aktualisht janë aktive 858 zjarre, shumica jashtë kontrollit. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 30 vatra të reja.
Zjarret më intensive ndodhen në veriperëndim të provincës Ontario, ku flakët kanë detyruar komunitete të tëra të evakuohen. /rtsh