Netanyahu: Hap historik nëse Arabia Saudite i bashkohet Marrëveshjes së Abrahamit

Netanyahu: Hap historik nëse Arabia Saudite i bashkohet Marrëveshjes së Abrahamit

Bota July 23, 2026 - 21:21

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka mirëpritur mundësinë që Arabia Saudite të bashkohet me Marrëveshjet e Abrahamit, duke e quajtur atë “një hap historik përpara për paqen në Lindjen e Mesme”.

Më herët të enjten, Donald Trump deklaroi në një postim në Truth Social se një marrëveshje e rëndësishme me Arabinë Saudite, që do t’i lejonte Riadit të zhvillojë një program bërthamor civil, është e kushtëzuar me bashkimin e mbretërisë së Gjirit në Marrëveshjet e Abrahamit.

Riyadi ende nuk ka dhënë një përgjigje publike ndaj komenteve të Trumpit, shkruan RTSH.

Megjithatë, Arabia Saudite ka theksuar vazhdimisht se nuk do ta njohë Izraelin derisa të krijohet një rrugë e qartë drejt një shteti të pavarur palestinez.

Trump nuk e kishte përmendur këtë kusht kur njoftoi marrëveshjen të mërkurën.

Aktualisht, firmëtarë të Marrëveshjeve të Abrahamit janë Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Sudani, Maroku dhe Kazakistani.