Rumania rrëzon dronin e tretë brenda tre ditësh
Forcat Ajrore të Rumanisë kanë rrëzuar tre dronë të paidentifikuar, që hynë në hapësirën ajrore të vendit gjatë fundjavës, njoftoi sot Ministria rumune e Mbrojtjes.
Pas rrëzimit të një droni të paidentifikuar me raketë, nga një avion luftarak F-16, në lindje të Rumanisë të premten, ushtria ndërmori edhe dy operacione të tjera interceptimi, një të shtunën dhe një tjetër të dielën në mëngjes.
Sipas ministrisë, dronët kishin hyrë në hapësirën ajrore rumune dhe u rrëzuan mbi zona të pabanuara, pa paraqitur rrezik për popullsinë civile.
Autoritetet sqaruan se një dron u rrëzua dje pranë qytetit Sfântu Gheorghe, në qarkun Tulcea, ndërsa një tjetër u interceptua pranë qytetit kufitar Sulina, në deltën e Danubit, sot në mëngjes.
Autoritetet rumune nuk e kanë konfirmuar ende zyrtarisht origjinën e dronëve të përfshirë në incidentet më të fundit.
Megjithatë, prokurorët që po hetojnë dronin e rrëzuar të premten kanë përcaktuar nga mbetjet se ai ishte i tipit Shahed. Në rajon, vetëm Rusia dihet se përdor këtë lloj droni.
Rumania ndan një kufi prej rreth 600 kilometrash me Ukrainën, e cila prej më shumë se katër vitesh po përballet me pushtimin rus.
Gjatë viteve të fundit, dhjetëra dronë rusë kanë hyrë në hapësirën ajrore rumune.
Për t’i mundësuar ushtrisë reagimin ndaj këtyre incidenteve, Rumania miratoi vitin e kaluar një ligj, që autorizon forcat e armatosura të rrëzojnë dronët, që hyjnë në hapësirën ajrore të vendit.
Interceptimi i kryer pranë Padina, në qarkun Buzëu, të premten, ishte hera e parë që Forcat Ajrore të Rumanisë rrëzonin një dron brenda territorit rumun, duke përdorur kompetencat e reja ligjore. /atsh