Tri gra plagosen me thikë në Paris, arrestohet i dyshuar
Tre gra janë plagosur të hënën paradite në Paris, pasi u sulmuan me dy thika kuzhine nga një burrë, i cili më pas u arrestua nga autoritetet.
Sulmi ndodhi rreth orës 11:30 në zonën Porte de Clichy, në veriperëndim të kryeqytetit francez.
Sipas autoriteteve, viktimat janë të moshës 19, 24 dhe 36 vjeç dhe janë dërguar për trajtim në spital. Dy prej tyre kanë pësuar plagë të rënda, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Njëra është goditur në pjesën e poshtme të shpinës, ndërsa tjetra në abdomen.
Mediat lokale raportojnë se njëra prej grave të plagosura dyshohet se është shtatzënë.
Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, bëri të ditur se i dyshuari u arrestua nga një polic që nuk ishte në detyrë, veprimin e të cilit e cilësoi si “akt guximtar”.
Identiteti i sulmuesit nuk është konfirmuar ende. Sipas Nunez, gjatë arrestimit ai ka bërë deklarata “jokoherente”, ndërsa autoritetet kanë bërë thirrje që të mos nxirren përfundime të parakohshme për motivet e sulmit. /Euro News