Zjarret kërcënojnë Greqinë, evakuohen 8000 persona në Kretë

Zjarret kërcënojnë Greqinë, evakuohen 8000 persona në Kretë

Bota July 30, 2026 - 13:25

Mijëra persona janë evakuuar gjatë natës, për shkak të zjarreve që kërcënonin zonën turistike, në ishullin grek të Kretës dhe që vazhdojnë të përhapen me intensitet, të nxitura nga erërat e forta, njoftoi sot një zyrtar lokal.

“Kemi evakuuar rreth 8 000 persona”, tha Maria Lioni, zëvendësguvernatore e rajonit të Rethymnos, për televizionin shtetëror grek ERT.

Operacioni i evakuimit u krye në rrugë tokësore nga zona e njohur turistike Agia Galini, e vendosur në bregdetin jugor të ishullit, përballë Detit Libik.

Një pjesë e madhe e turistëve dhe banorëve të evakuuar, u zhvendosën në palestrën sportive të bashkisë së Festos, në zonën e Mires, ndërsa qindra të tjerë u strehuan përkohësisht, në një ndërtesë shkolle aty pranë.

Administrata vendore ka aktivizuar planin e emergjencës për pritjen e të evakuuarve dhe ka vënë në dispozicion edhe ambiente të tjera shkollore, në rast se situata përkeqësohet.

Palestra sportive është pajisur me shtretër marinari, çarçafë të pastër dhe materiale të nevojshme për jetesë, si dhe me ushqime e ujë.

Forcat e policisë dhe vullnetarët e Kryqit të Kuq grek, ndodhen në terren për t’u ofruar ndihmë personave të zhvendosur.

Edhe Roja Bregdetare Greke ka marrë pjesë në operacionet e shpëtimit, duke evakuuar 29 persona nga deti nga zona e Agios Pavlos, në bregdetin jugor, me anijet e saj patrulluese dhe me ndihmën e mjeteve private lundruese.

Sipas medias greke, zjarret vijojnë të përhapen për shkak të erërave të forta. /atsh