BE-ja akordon 1.4 miliard euro për Ukrainën nga interesat e aseteve të ngrira ruse
Foto: Laura Hasani

BE-ja akordon 1.4 miliard euro për Ukrainën nga interesat e aseteve të ngrira ruse

Bota August 05, 2026 - 14:09

Bashkimi Evropian do të përdorë 1.4 miliard euro nga interesat e krijuara mbi asetet e ngrira ruse për të mbështetur Ukrainën, bëri të ditur të martën Komisioni Evropian.

Fondet vijnë nga interesat mbi bilancet monetare që lidhen me asetet e Bankës Qendrore të Rusisë, të cilat u ngrinë nga BE-ja pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se këto të ardhura do të përdoren për të ndihmuar Ukrainën në përballimin e pasojave të luftës.

“Rusia duhet të paguajë për shkatërrimin që ka shkaktuar. Ne po përdorim të ardhurat nga asetet e ngrira ruse për të siguruar që kjo të ndodhë”, tha Von der Leyen.

Sipas saj, fondet shtesë prej 1.4 miliard eurosh do të shërbejnë për të forcuar rezistencën e Ukrainës ndaj agresionit rus dhe për të mbështetur përpjekjet e saj gjatë luftës.

Vendimi është pjesë e përpjekjeve të BE-së për të përdorur burimet financiare të lidhura me asetet ruse të ngrira si një mënyrë për të ndihmuar Ukrainën dhe për t’i kërkuar Moskës përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara nga konflikti.