Dy viktima dhe mbi 300 të evakuar pas zjarreve në Salamina të Greqisë

Dy viktima dhe mbi 300 të evakuar pas zjarreve në Salamina të Greqisë

Bota August 16, 2026 - 18:01

Një operacion i gjerë për evakuimin e civilëve me rrugë detare është duke u zhvilluar aktualisht në ishullin e Salaminës, ku dy vatra të mëdha zjarri kanë shkaktuar deri tani dy viktima në zonën e Peristerias.

Sipas përditësimit të fundit të Rojës Bregdetare Helenike, operacioni i evakuimit po zhvillohet në zonat detare pranë Peristerias, Kolones, Maroudit dhe Saterlit, nën koordinimin e Qendrës Operacionale të Rojës Bregdetare.

Në operacion janë angazhuar forca të Brigadës së Zjarrfikësve, mjete të Rojës Bregdetare, tragete, varka ndihmëse dhe mjete private.

Deri pasditen e së dielës, rreth 364 persona ishin evakuuar dhe po transferoheshin në tre tragete.

Situata në ishull vijon të jetë kritike, ndërsa dy fronte të mëdha zjarri mbeten aktive dhe erërat e forta po vështirësojnë ndjeshëm përpjekjet për shuarjen e flakëve.

Zjarri i parë shpërtheu në zonën e Peristerias rreth orës 14:45, ndërsa rreth orës 15:00 u raportua edhe një vatër e dytë në zonën e Selinias.

Forcat zjarrfikëse janë përforcuar ndjeshëm. Në terren operojnë rreth 260 zjarrfikës, 15 ekipe të Njësisë së Parë Speciale për Operacionet Pyjore (EMODE), 58 automjete dhe vullnetarë. Nga ajri janë angazhuar 10 avionë dhe 8 helikopterë, njëri prej të cilëve përdoret për koordinimin e mjeteve ajrore.

Në operacion po kontribuojnë gjithashtu autobotët e ujit dhe makineritë e rënda të Bashkisë së Salaminës.

Ndërkohë, forcat e Policisë Helenike janë angazhuar për zbatimin e masave të nevojshme të qarkullimit, ndërsa Qendra Kombëtare e Ndihmës së Shpejtë (EKAV) ka dislokuar gjashtë ambulanca, një njësi mjekësore të lëvizshme dhe dy motoçikleta të reagimit të shpejtë.

Që prej orës 14:55, autoritetet kanë dërguar një seri alarmesh përmes sistemit 112, me qëllim informimin dhe evakuimin e banorëve.

Urdhrat e evakuimit përfshijnë zonat e Peristerias, Aias Club, Kolones, PPC (DEI) Halioti, Peranit dhe Kaki Viglës. Banorët janë udhëzuar të drejtohen drejt Eandios dhe plazhit të Saterlit, në varësi të zonës ku ndodhen./atsh