Rreth 14 mijë vdekje të lidhura me valët e të nxehtit këtë vit në Gjermani
Rreth 14 mijë persona në Gjermani vlerësohet se kanë humbur jetën deri tani këtë vit si pasojë e periudhave me temperatura ekstreme, sipas Institutit Robert Koch (RKI), instituti kombëtar i shëndetit publik në vend.
Sipas raportit më të fundit të RKI -së për vdekshmërinë e lidhur me të nxehtin, që mbulon periudhën nga 6 prilli deri më 9 gusht, kjo shifër korrespondon me rreth 17 vdekje për 100 mijë banorë.
Numri është tashmë dukshëm më i lartë se shifrat e regjistruara gjatë shumicës së viteve të plota të dekadës së fundit.
Në 2018, një nga vitet me temperaturat më ekstreme, u vlerësuan rreth 9 400 vdekje të lidhura me të nxehtin, ndërsa në vitin 2019 rreth 7 600.
RKI-ja thekson se vlerësimet e tij janë konservatore, çka do të thotë se numri real i vdekjeve të lidhura me temperaturat e larta mund të jetë edhe më i madh.
Vetëm një javë më parë, instituti e kishte vlerësuar numrin në rreth 12 500, ndërsa të dhënat mund të rishikohen edhe në mënyrë retrospektive.
Pjesa më e madhe e viktimave i përket grupmoshave më të moshuara.
Rreth 7 040 vdekje u regjistruan tek personat 85 vjeç e lart, ndërsa rreth 3 450 tek grupmosha 75–84 vjeç dhe 2 170 tek personat 65–74 vjeç.
Një pjesë e madhe e vdekjeve të vlerësuara lidhet me valën e fuqishme të të nxehtit në fund të qershorit.
Sipas RKI-së, rreth 9 600 nga 14 000 vdekjet e vlerësuara ndodhën vetëm gjatë javës 22–28 qershor.
Gjatë asaj periudhe, temperaturat në shumë pjesë të Gjermanisë iu afruan 40 gradëve Celsius, duke krijuar kushte veçanërisht të rrezikshme për të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore. /atsh