OKB-ja voton për hartë të re botërore që pasqyron madhësinë reale të Afrikës

OKB-ja voton për hartë të re botërore që pasqyron madhësinë reale të Afrikës

Bota September 04, 2026 - 22:57

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka votuar për zëvendësimin e hartës tradicionale të botës me një hartë që pasqyron më saktë madhësinë e Afrikës.

Sipas BBC-së, rezoluta “Correct the Map”, e sponsorizuar nga Togo dhe e mbështetur nga vendet anëtare të Bashkimit Afrikan, u miratua me votat e 164 shteteve, përfshirë Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Shtetet e Bashkuara ishin i vetmi vend që votuan kundër, ndërsa gjashtë shtete abstenuan.

Votimi i OKB-së nuk është detyrues, por pritet të sjellë ndryshime në hartat që përdoren nga institucionet në mbarë botën.

Harta Mercator, e cila përdoret gjerësisht që nga shekulli XVI, është kritikuar pasi e paraqet Afrikën pothuajse me të njëjtën madhësi si Grenlanda, edhe pse Afrika është 14 herë më e madhe.

Harta u krijua në vitin 1569 nga hartografi flamand Gerardus Mercator për t’i ndihmuar eksploruesit evropianë të lundronin nëpër botë.

Në përpjekje për ta korrigjuar shtrembërimin, një ekip hartografësh në vitin 2018 krijoi projeksionin “Equal Earth”.

Në shkurt, 54 shtetet anëtare të Bashkimit Afrikan e miratuan atë, duke thënë se “paraqet në mënyrë më të saktë madhësinë e të gjitha kontinenteve, veçanërisht të Afrikës”.

Para votimit, ministri i Jashtëm i Togos, Robert Dussey, i tha Reuters: “Një botë e drejtë fillon me një hartë të drejtë”.

“Ajo formëson perceptimet, ndikon në mënyrën se si kuptohet vendi i popujve dhe kontinenteve në botë”, kishte deklaruar më herët Dussey.

Ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot tha se ministria e tij do të ndalojë përdorimin e hartës Mercator.

“Ndryshimi i hartës, natyrisht, nuk e ndryshon botën. Por korrigjimi i një paraqitjeje që e shtrembëron atë është tashmë një akt i së vërtetës”, tha Barrot.

Përfaqësuesja e SHBA-së në OKB, Yaryna Ferencevych, kundërshtoi rezolutën, duke thënë se në vend që të përqendrohet në problemet e paqes ndërkombëtare, prosperitetit dhe marrëdhënieve të mira, Asambleja po diskuton për projekte hartash nga shekulli XVI.

“Paraqitja e gabuar e Afrikës në hartat botërore nuk është vetëm një gabim hartografik – është një çështje narrative”, tha për BBC-në Lerato Mogoatlhe nga Africa No Filter.