Trump: Putini dëshiron të arrijë një marrëveshje për Ukrainën

Trump: Putini dëshiron të arrijë një marrëveshje për Ukrainën

Bota September 10, 2026 - 14:25

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi të mërkurën se kishte zhvilluar një bisedë “të shkëlqyer” me presidentin rus Vladimir Putin në fillim të kësaj jave dhe se lideri rus dëshironte të arrinte një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Ai dëshiron të arrijë një marrëveshje dhe, nëse (presidenti ukrainas Volodymyr) Zelensky është i gatshëm të arrijë një marrëveshje, kjo do të ishte shumë mirë”, u tha Trumpi gazetarëve para se të hipte në Air Force One, në drejtim të Dallasit për Konventën Kombëtare Republikane, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

Trumpi zhvilloi një bisedë telefonike me Putinin të martën, pak pasi i dërguari i posaçëm i Trumpit, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner, u kthyen nga një vizitë diplomatike në Moskë dhe Kiev.

Dyshja, të cilët janë përgjegjës për shumicën e negociatave kryesore të paqes në emër të SHBA-së, diskutuan propozime të mundshme për t’i dhënë fund luftës.

Muajin e kaluar, drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), John Ratcliffe, u takua me zyrtarë të inteligjencës në Moskë, pjesërisht për të inkurajuar zyrtarët rusë që t’i japin fund pushtimit të Ukrainës.

Pavarësisht këtyre përpjekjeve dhe deklaratave të Trumpit, zyrtarët e inteligjencës në SHBA, Ukrainë dhe në të gjithë Evropën vazhdojnë të dyshojnë se Putini është vërtet i interesuar për t’i dhënë fund luftës së tij, e cila tashmë ka hyrë në vitin e katërt.

“Pengesa janë dy njerëz që e urrejnë njëri-tjetrin”, u tha Trumpi gazetarëve, duke iu referuar Putinit dhe Zelenskyt.

“Mendoj se, më shumë se çdo gjë tjetër, janë dy njerëz që e urrejnë njëri-tjetrin”.