Sulm me dron në Ukrainë, pesë të vrarë e 67 të plagosur
Zyrtarët ukrainas kanë bërë të ditur se pesë persona janë vrarë dhe 67 të tjerë janë plagosur pasi një dron rus goditi një qendër tregtare në Pavlohrad, në rajonin e Dnipropetrovskut.
Në sulmin, i cili ndodhi gjatë ditës, u dëmtuan dyqane dhe automjete. Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ivan Vyhivskyi, tha se sulmi ndodhi në një kohë kur rrugët ishin të mbushura me njerëz.
Sipas mediave ukrainase, edhe dy qendra të tjera tregtare, në qytetet Zaporizhzhia dhe Sumy, janë goditur nga sulmet ajrore ruse gjatë kësaj jave.
Ndërkohë, Rusia ka raportuar për një sulm me dron detar ukrainas në qytetin turistik Soçi gjatë natës së të mërkurës, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Sipas autoriteteve ruse, nga ky sulm janë plagosur 28 persona, ndërsa tre persona të tjerë kanë humbur jetën në sulme për të cilat Moska ka fajësuar Ukrainën.
Lufta e gjithanshme mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdon që nga shkurti i vitit 2022, kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës.
Përpjekjet e reja për arritjen e një marrëveshjeje paqeje, të ndërmjetësuara nga të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, duket se deri tani kanë prodhuar pak rezultate konkrete. Të dërguarit amerikanë zhvilluan takime në Moskë me Putinin dhe në Kiev me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.