BE-ja ndan 6.1 miliardë euro për Ukrainën

BE-ja ndan 6.1 miliardë euro për Ukrainën

Bota September 11, 2026 - 17:57

Bashkimi Evropian pritet t’i japë Ukrainës 6.1 miliardë euro shtesë për blerjen e pajisjeve ushtarake, në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme për Kievin në luftën kundër Rusisë.

Një pjesë e rëndësishme e kësaj ndihme do të përdoret për furnizimin me interceptues për sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore Patriot, të cilët Ukraina i konsideron jetikë për përballimin e sulmeve ruse me raketa balistike, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.

Brukseli po përpiqet gjithashtu të bindë vendet anëtare të BE-së që ende kanë interceptues Patriot në rezervat e tyre kombëtare që t’ia dorëzojnë Ukrainës. Në këmbim, këto vende pritet t’i zëvendësojnë sistemet e dhëna më vonë, përmes furnizimeve të planifikuara për vitin 2027.Financimi prej 6.1 miliardë eurosh do të vijë nga kredia prej 90 miliardë eurosh e BE-së për Ukrainën. Nga kjo shumë, 28.3 miliardë euro janë parashikuar për ndihmë ushtarake, ndërsa 16.7 miliardë euro për mbështetjen e buxhetit ukrainas gjatë këtij viti.

Për të mundësuar blerjen e sistemeve Patriot, BE-ja do të heqë përkohësisht kërkesën që fondet ushtarake të shpenzohen për pajisje të prodhuara në Evropë. Patriotët prodhohen në Shtetet e Bashkuara. I njëjti përjashtim do të vlejë edhe për dronët, prodhimi i të cilëve mbështetet në komponentë të prodhuar në Kinë.

Sipas të dhënave të bëra publike, kjo shumë prej 6.1 miliardë eurosh përfaqëson alokimin e fundit nga fondi prej 28.3 miliardë eurosh të dedikuar për mbrojtjen e Ukrainës.

Fondet nuk transferohen menjëherë. Pagesat bëhen në këste, pasi institucionet evropiane verifikojnë kontratat që autoritetet ukrainase lidhin me kompanitë private për furnizimin me pajisje ushtarake.

Deri më tani, nga fondi për mbrojtjen e Ukrainës janë transferuar rreth 8.35 miliardë euro.