Erdogan: Evropa ka nevojë për Turqinë në arkitekturën e saj të sigurisë

Erdogan: Evropa ka nevojë për Turqinë në arkitekturën e saj të sigurisë

Bota September 23, 2026 - 17:00

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se “nuk është e mundur që Evropa të jetë më e fortë apo më e sigurt nëse Turqia përjashtohet nga arkitektura e saj e sigurisë”.

“Si një pjesë integrale e Evropës, vendi ynë luan një rol të rëndësishëm në garantimin e mirëqenies dhe sigurisë së kontinentit evropian”, ka thënë ai në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

“Samiti i NATO-s në Ankara, të cilin e organizuam me sukses në korrik, ishte një dëshmi konkrete e angazhimit tonë ndaj sigurisë sonë të përbashkët”, ka shtuar Erdogan.

Dhe sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, kjo deklaratë pasqyron komentet që Erdogani bëri vitin e kaluar, kur u përpoq ta poziciononte vendin e tij si një pikë stabiliteti në një botë gjithnjë e më të trazuar, duke theksuar se Turqia është thelbësore për sigurinë evropiane.

“Është bërë e qartë edhe një herë se siguria evropiane është e paimagjinueshme pa Turqinë. Turqia është e gatshme të marrë përgjegjësi për sigurinë evropiane edhe në të ardhmen”, theksoi ai në Forumin vjetor të Diplomacisë në Antalia.

Ndërsa marrëdhëniet transatlantike u ftohën gjatë administratës Trump, Turqia – anëtare e NATO-s që zotëron ushtrinë e dytë më të madhe të aleancës dhe një industri të zhvilluar të mbrojtjes – po kërkon të luajë një rol më të gjerë.

Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se kontinenti duhet të kujdeset vetë për sigurinë e tij, përfshirë atë të Ukrainës, dhe deri më tani nuk ka treguar gatishmëri për të mbështetur një forcë kryesisht evropiane në Ukrainë përballë armiqësisë ruse.

Turqia është shfaqur si një ndërmjetëse kyçe në rajonin e Detit të Zi, duke ruajtur marrëdhëniet si me Ukrainën ashtu edhe me Rusinë.

Si Erdogani ashtu edhe Trumpi kanë folur për marrëdhënien e tyre të ngushtë personale.

“Besoj se marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara do të lulëzojnë në çdo fushë gjatë mandatit të dytë të presidentit Trump, edhe falë kontributit të miqësisë sonë të ngushtë me të”, u tha presidenti turk një audience të përbërë nga liderë botërorë dhe diplomatë.

Turqia aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 1987, por progresi i këtij aplikimi ka ngecur që nga viti 2018.

Një raport i Parlamentit Evropian i vitit të kaluar theksonte se procesi i anëtarësimit nuk mund të rifillojë në rrethanat aktuale, pavarësisht rëndësisë gjeopolitike dhe strategjike të Ankarasë.

Arrestimi i kryetarit të bashkisë së Stambollit, Ekrem ëmamoglu, goditja ndaj demonstratave kundër qeverisë dhe shkeljet e të drejtave të njeriut u përmendën si shenja të një regresioni demokratik. /abcnews