Papa u kërkon palëve lëshime për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë
Papa Leoni XIV u ka bërë thirrje palëve ndërluftuese që të gjejnë kompromis dhe të jenë të gatshme të bëjnë lëshime për të arritur paqen në Ukrainë. Këto deklarata kreu i Selisë së Shenjtë i bëri gjatë një fjalimi të rëndësishëm mbi Evropën, të mbajtur në Francë.
Fjalimi i Papës u mbajt në ditën e fundit të vizitës së tij zyrtare në Francë, përgjatë së cilës zhvilloi bisedime me presidentin Emmanuel Macron, udhëhoqi një meshë masive në qendër të Parisit, si dhe bëri thirrje për dhembshuri ndaj migrantëve, raporton Vatican News.
Para një audience të mbushur plot, Papa nuk specifikoi se çfarë lëshimesh konkrete duhet të bëjnë Kievi apo Moska.
Thirrja e tij vjen në një kohë kur forcat ruse po vazhdojnë sulmet intensive dhe përpjekjet për të avancuar në rajonin e Donetskut, ndonëse ushtria e Kremlinit nuk ka arritur ta nënshtrojë Ukrainën pas më shumë se katër vjet e gjysmë lufte totale.
Gjatë muajve të fundit, Selia e Shenjtë ka ndërmarrë një rol mjaft aktiv në përpjekje për të ndalur armiqësitë.
Në gusht, Papa dërgoi në Moskë kryepeshkopin Paul Gallagher. shefin e diplomacisë vatikaneze për t’u takuar me zyrtarë rusë, përfshirë kryediplomatin Sergei Lavrov.
Po ashtu, një tjetër emisar i Vatikanit pritet të vizitojë Rusinë gjatë kësaj jave.
Këto vizita nxjerrin në pah përpjekjet gjithnjë e më proaktive të Papës për të ndërmjetësuar mbi krizën në Ukrainë, ndërkohë që diplomacia evropiane mbetet kryesisht e distancuar nga kontaktet me Moskën.