Sulmet iraniane nuk i ndalin eksportet e naftës, por rafineritë po

Sulmet iraniane nuk i ndalin eksportet e naftës, por rafineritë po

Bota October 04, 2026 - 11:22

Eksportet e naftës së papërpunuar nga Lindja e Mesme arritën në shtator nivelin më të lartë që nga fillimi i luftës me Iranin.

Të dhënat për transportin detar dhe tregjet e energjisë tregojnë se furnizimet janë rritur, pavarësisht sulmeve iraniane ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

Megjithatë, rritja e eksporteve nuk e ka zgjidhur problemin e furnizimit me derivate.

Kapacitetet e kufizuara të rafinerive vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi tregun dhe kanë çuar në rritje të çmimeve të dizelit në mbarë botën.

Të dhënat e Bashkimit Evropian, të publikuara më 1 tetor, tregojnë se çmimi i dizelit në pompa ka arritur nivel rekord.

Edhe në Shtetet e Bashkuara çmimet janë rritur ndjeshëm, pavarësisht rimëkëmbjes së eksporteve të naftës.

“Nga Gjiri i Lindjes së Mesme po eksportohet më shumë naftë sesa pritej. Vetëm disa muaj më parë, shumëkush mendonte se një nivel i tillë eksportesh nuk do të ishte i mundur”, tha Richard Meade, kryeredaktor i Lloyd’s List, gjatë një konference online më 1 tetor.

Eksportet e naftës rimëkëmben
Të dhënat e Lloyd’s List tregojnë se numri i cisternave me naftë të papërpunuar që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, është rritur vazhdimisht që nga mesi i korrikut.

Kjo pasoi një rënie të madhe të trafikut, në kohën kur dështoi memorandumi i mirëkuptimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, që synonte t’i jepte fund konfliktit, që tashmë është në muajin e tetë.

Banka investuese JPMorgan vlerësoi se eksportet e naftës së papërpunuar nga Lindja e Mesme, arritën në shtator në 98 për qind të nivelit të para luftës, duke e cilësuar këtë si “një rimëkëmbje të jashtëzakonshme për një rajon që vazhdon të jetë në luftë”.

Kompania e analizave të tregut të mallrave Kpler raportoi se eksportet saudite të naftës ishin në nivelin mesatar të vitit 2025.

Ndërkaq, kompania e inteligjencës detare Windward tha se në terminalet saudite u ngarkua katër herë më shumë naftë se në gusht.

Pavarësisht kësaj rritjeje të madhe, sasia ishte ende gati 40 për qind më e ulët se në janar.

Pas rimëkëmbjes së eksporteve duket se qëndrojnë disa faktorë: naftësjellësi Lindje-Perëndim i Arabisë Saudite, transportimi i naftës me anije ndërmjetëse dhe transferimi i saj nga një anije në tjetrën, si dhe gatishmëria e disa kompanive për të marrë përsipër rrezik më të madh.

Naftësjellësi saudit transporton naftën e papërpunuar drejt portit Yanbu në Detin e Kuq, duke shmangur kështu Ngushticën e Hormuzit.

Ai u dëmtua më 10 shtator në një sulm të militantëve Huthi, të mbështetur nga Irani.

Megjithatë, nga rritja e dërgesave nga Yanbu, më vonë gjatë muajit, u bë e ditur se naftësjellësi kishte rikthyer të paktën një pjesë të kapacitetit të humbur.

Edhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë gjetur një rrugë të ngjashme, duke përdorur naftësjellësin e tyre drejt portit Fujairah, në Gjirin e Omanit.

Ky naftësjellës ka qenë, po ashtu, shënjestër e sulmeve iraniane, por rruga është shumë më pak e cenueshme sesa ajo përmes Ngushticës së Hormuzit.

Një tjetër mënyrë për ta nxjerrë naftën në treg është edhe përdorimi i anijeve më të vogla, të cilat e transportojnë atë përmes Ngushticës së Hormuzit, duke lundruar pranë brigjeve të Omanit – në një korridor të patrulluar nga Marina amerikane.

Këto anije, që shpesh lëvizin në grup, e transferojnë më pas naftën në cisterna më të mëdha në ujërat më të sigurta të Gjirit të Omanit.

Ndërkohë, edhe rafineritë në Indi raportohet se kanë nisur të angazhojnë cisterna për ta përshkuar drejtpërdrejt këtë rrugë.

Sulmet vazhdojnë
Rreziku për transportin detar, megjithatë, nuk është zhdukur.

Në incidentin e fundit, më 30 shtator, tri cisterna me flamur liberian u goditën nga predha të paidentifikuara, teksa kalonin përmes Ngushticës së Hormuzit.

Analistët e industrisë vlerësojnë se kompanitë tashmë e kanë përfshirë këtë rrezik në koston e operimit.

“Rritja e eksporteve nuk do të thotë domosdoshmërisht se Ngushtica e Hormuzit është bërë e sigurt. Ajo, thjesht, tregon se industria e naftës është mësuar të operojë duke iu përshtatur këtij rreziku”, tha Meade.

Çmimet e naftës së papërpunuar kanë rënë nga nivelet e larta të kohëve të fundit, por problemet me kapacitetet e rafinerive vazhdojnë të ndihen në mbarë botën.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), një pjesë e madhe e problemit është e përqendruar në Gjirin Persik.

Sulmet iraniane ndaj rafinerive, së bashku me pengesat në transportin përmes Ngushticës së Hormuzit, kanë çuar në rënie të ndjeshme të prodhimit të derivateve, sipas IEA-së.

“Në vitin 2025, prodhuesit e Lindjes së Mesme eksportonin 3.3 milionë fuçi produkte të rafinuara të naftës në ditë. Por, që nga fillimi i konfliktit, deri në 3 milionë fuçi kapacitet ditor kanë qenë jashtë funksionit”, shkroi IEA në një analizë të publikuar më 21 shtator.

Mungesa globale e dizelit është përkeqësuar edhe nga sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse të naftës, të cilat e kanë shtyrë Kremlinin që t’i ndalojë eksportet e dizelit.

“Rafineritë në mbarë botën tashmë po punojnë në kufijtë e kapaciteteve të tyre”, tha IEA.

“Kjo lë pak mundësi për të parandaluar tkurrjen e mëtejshme të furnizimeve dhe rritjen e çmimeve në muajt e ardhshëm”, sipas agjencisë./ Radio Evropa e Lire