30 fëmijë vdesin nga shembja e çatisë së një shkolle në Pakistan

30 fëmijë vdesin nga shembja e çatisë së një shkolle në Pakistan

Bota October 15, 2026 - 09:51

Të paktën 30 fëmijë, mes tyre një mësuese, kanë humbur jetën pasi çatia e një shkolle u shemb sot në qytetin Peshawar, në veriperëndim të Pakistanit.

”Shumë persona të tjerë mbetën të bllokuar nën rrënoja”, njoftuan policia dhe ekipet e shpëtimit.

”Më shumë se 40 fëmijë kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në spital”, bëri të ditur Mohamed Asim, zëdhënës i spitalit.

Zyrtari i emergjencave, Bilal Faizi, konfirmoi numrin e viktimave, ndërsa autoritetet paralajmëruan se ai mund të rritet.

“Policia ka arrestuar pronarin e shkollës dhe ka urdhëruar nisjen e një hetimi për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, tha zyrtari i policisë Mian Saeed.

Shkaku i shembjes së çatisë nuk ishte përcaktuar ende.

Sipas Bilal Faizit, në momentin e incidentit, në orët e para të mëngjesit, në klasat e shkollës ndodheshin fëmijë deri në moshën 12 vjeç.

Mediat lokale raportuan se në shkollë ishin të pranishëm më shumë se 100 fëmijë.

Ekipet e shpëtimit po punonin përmes rrënojave për të gjetur dhjetëra fëmijë të tjerë që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar.

”Disa prej tyre u goditën nga shufra metalike dhe ndodheshin në gjendje kritike”, tha Asimi, duke shprehur shqetësimin se numri i viktimave mund të shtohej. /atsh