Në univers mund të ekzistojnë planetë më të banueshëm se Toka

Në univers mund të ekzistojnë planetë më të banueshëm se Toka

Bota October 17, 2026 - 10:04

Shkencëtarët besojnë se jashtë sistemit tonë diellor mund të ekzistojnë planetë ku kushtet për jetën janë edhe më të favorshme se në Tokë. Këta planetë, të quajtur botë super të banueshme, mund të ofrojnë një klimë më të qëndrueshme, ekosisteme më të pasura dhe kushte që do të lejonin zhvillimin e jetës për periudha shumë më të gjata, bëhet e ditur në një artikulli të publikuar në “The New York Times”.

 

Astronomët po shqyrtojnë gjithnjë e më seriozisht mundësinë që Toka të mos jetë vendi më i përshtatshëm për jetën në univers. Një nga mundësitë më interesante lidhet me planetët që rrotullohen rreth yjeve të tipit K, të cilët kanë ngjyrë portokalli, janë më të ftohtë se Dielli dhe e konsumojnë karburantin e tyre shumë më ngadalë.

Astrobiologia Iva Viloviç zbuloi gjatë eksperimenteve laboratorike në Berlin se bima e lakërishtës së kopshtit u rrit më shpejt dhe më e gjatë nën dritën që imitonte këta yje, krahasuar me dritën e simuluar të Diellit.

Rezultatet sugjerojnë se fotosinteza, procesi që furnizon me energji pjesën më të madhe të jetës në Tokë, mund të funksionojë edhe në planetë me kushte ndriçimi të ndryshme.

Sipas hipotezës shkencore, planetët super të banueshëm mund të jenë rreth 20-30 për qind më të mëdhenj në diametër dhe dy herë më masivë se Toka. Graviteti më i fortë mund t’i ndihmojë të ruajnë një atmosferë më të dendur, duke favorizuar temperatura më të qëndrueshme dhe zhvillimin e organizmave të gjallë.

Gjithashtu, një bërthamë më e madhe prej hekuri mund të krijojë një fushë magnetike më të fuqishme, e cila do të ofronte mbrojtje më të mirë nga rrezatimi kozmik.

Shkencëtarët përfytyrojnë se sipërfaqja e këtyre planetëve mund të përmbajë ishuj të shumtë, dete të cekëta dhe arkipelagë me kushte ideale për biodiversitetin.

Në Tokë, zonat tropikale, shkëmbinjtë koralorë dhe ujërat e cekëta janë ndër mjediset me larminë më të madhe biologjike.

Në një planet ku këto habitate do të shtriheshin në sipërfaqe shumë më të mëdha, mund të krijoheshin ekosisteme të pasura me alga, bimë dhe organizma të tjerë, përfshirë forma jete që mund të ndryshonin ndjeshëm nga ato që njohim.

Ideja e botëve super të banueshme u zhvillua në vitin 2014 nga astronomët Rene Heller dhe John Armstrong. Ata argumentuan se kërkimi për jetë jashtëtokësore nuk duhet të kufizohet vetëm te planetët që ngjajnë me Tokën dhe që rrotullohen rreth yjeve të ngjashëm me Diellin.

Ndërsa Dielli ka një jetëgjatësi të kufizuar, yjet e tipit K mund të qëndrojnë të qëndrueshëm për dhjetëra miliarda vjet. Kjo mund t’u japë organizmave shumë më tepër kohë për të evoluar dhe për të zhvilluar forma më komplekse jete.

Ndërkohë, astronomët po përgatiten të identifikojnë dhe të studiojnë planetë të tillë përmes teleskopëve të rinj. Misioni evropian PLATO, nisja e të cilit është planifikuar për vitin 2027, do të kërkojë planetë potencialisht të banueshëm, përfshirë super-Tokat që rrotullohen rreth yjeve të tipit K.

Studime të mëtejshme pritet të kryhen me Teleskopin Jashtëzakonisht të Madh, që po ndërtohet në Kili, si dhe me observatorin hapësinor Habitable Worlds Observatory të NASA-s, i planifikuar për vitet 2040. Këto instrumente mund të ndihmojnë në analizimin e atmosferave dhe në kërkimin e gazeve që mund të tregojnë praninë e aktivitetit biologjik.

Megjithatë, ekzistenca e planetëve më të banueshëm se Toka mbetet ende një hipotezë dhe shkencëtarët nuk kanë konfirmuar zbulimin e jetës në asnjë prej tyre. Studiuesit theksojnë gjithashtu se Toka nuk do të mbetet përgjithmonë e përshtatshme për jetën komplekse, pasi Dielli po bëhet gradualisht më i ndritshëm dhe, pas rreth 500 milionë vjetësh, temperaturat mund të jenë tepër të larta për bimët dhe kafshët./atsh