BE-ja kërkon goditjen e Huthëve: Ngrirje pasurive dhe futje në listën terroriste

BE-ja kërkon goditjen e Huthëve: Ngrirje pasurive dhe futje në listën terroriste

Bota October 23, 2026 - 10:49

Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë që kërkon përfshirjen e rebelëve Huthi të Jemenit në listën e organizatave terroriste të Bashkimit Evropian. Nisma vjen pas shtimit të sulmeve të grupit ndaj Arabisë Saudite dhe kërcënimeve ndaj transportit detar në Detin e Kuq.

Rezoluta, e cila nuk është ligjërisht detyruese, u miratua me shumicë të madhe votash. Në të kërkohet ngrirja e të gjitha fondeve dhe pasurive ekonomike që u përkasin Huthëve dhe personave që i ndihmojnë ata.

Përfshirja në listën e organizatave terroriste të BE-së do të sillte kufizime financiare, përfshirë ngrirjen e llogarive bankare dhe pronave që grupi ka në vendet e Bashkimit Evropian. Gjithashtu, individëve dhe kompanive evropiane do t’u ndalohej financimi i tij. Vendimi përfundimtar u takon shteteve anëtare të BE-së dhe kërkon miratimin unanim të tyre.

Eurodeputetët dënuan bllokimin e rrugëve detare nga Huthët, si dhe sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe anijeve tregtare në Detin e Kuq dhe në ngushticën Bab el-Mandeb. Këto sulme kanë penguar lëvizjen e anijeve dhe kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të energjisë në rajon.

Rezoluta thekson gjithashtu pasojat për popullsinë civile, duke vënë në dukje se sulmet kanë shkaktuar viktima dhe zhvendosje të banorëve, ndërsa kriza humanitare në Jemen është përkeqësuar.

Huthët, të njohur zyrtarisht si Ansar Allah, janë në luftë me qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Jemenit që nga viti 2014. Në korrik, grupi nisi një ofensivë përgjatë bregdetit të Detit të Kuq, me synimin për të marrë kontrollin e kësaj rruge të rëndësishme për transportin ndërkombëtar të mallrave dhe energjisë.

Një kundërofensivë e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite riktheu një pjesë të territoreve të humbura, por Huthët vazhdojnë të përbëjnë kërcënim për anijet që kalojnë në ngushticën Bab el-Mandeb, e cila lidh rrugët detare mes Evropës dhe Azisë. Grupi ka deklaruar se do të lejojë kalimin e sigurt të anijeve, me përjashtim të atyre që kanë lidhje me Arabinë Saudite, ndërsa ka vijuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe aeroporteve në këtë vend.

Eurodeputetët kërkuan gjithashtu forcimin e misionit detar të BE-së, Aspides, i cili synon mbrojtjen e anijeve tregtare në Detin e Kuq. Aktualisht, misioni ka tre anije nga Italia dhe Greqia, ndërsa Belgjika dhe Holanda kanë premtuar të dërgojnë edhe dy të tjera. Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, ka deklaruar se nevojiten të paktën 10 anije për të përmbushur detyrat e misionit. /abcnews