Izraeli nis operacionin në Hebron, rreth 1.200 palestinezë dëbohen nga shtëpitë e tyre
Foto: Reuters

Izraeli nis operacionin në Hebron, rreth 1.200 palestinezë dëbohen nga shtëpitë e tyre

Bota October 24, 2026 - 15:26

Rreth 1.200 palestinezë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Hebron, në Bregun Perëndimor të pushtuar, pas një operacioni ushtarak izraelit, ndërsa rreth 1.300 të tjerë rrezikojnë të zhvendosen. Gjatë operacionit, forcat izraelite kanë arrestuar edhe rreth 70 palestinezë, sipas organizatave dhe zyrtarëve palestinezë.

Lajmi për largimin e banorëve u bë i ditur të shtunën nga një zyrtar palestinez, i cili paralajmëroi se qindra familje të tjera mund të humbasin shtëpitë e tyre. Ndërkohë, organizata joqeveritare Klubi i të Burgosurve Palestinezë njoftoi se arrestimet janë kryer gjatë së premtes dhe së shtunës. Zyrtarët izraelitë nuk kanë komentuar lidhur me këto arrestime, raporton Reuters.

Operacioni ushtarak nisi pas një sulmi të premten, kur dy persona të armatosur palestinezë hapën zjarr ndaj një pike kontrolli ushtarake pranë Hebronit, duke vrarë dy ushtarë izraelitë.

Pas këtij incidenti, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi se ushtria do të ndërmerrte një operacion në shkallë të gjerë.

Sipas ushtrisë izraelite, operacioni po zhvillohet në lagjet Al-Jaladah dhe Ein Deir Baha, pranë hyrjes së Hebronit, me synimin për të gjetur personat e armatosur dhe për të sekuestruar armë. Ushtria ka njoftuar gjithashtu se do të shembë ndërtesa në kuadër të këtij operacioni.

Autoriteti Palestinez e ka dënuar ndërhyrjen ushtarake, duke e cilësuar atë si “ndëshkim kolektiv”.