Rritja e kostove të jetesës në Itali, priten protesta në 50 qytete

Rritja e kostove të jetesës në Itali, priten protesta në 50 qytete

Bota October 30, 2026 - 13:52

Një ditë protestash në shkallë kombëtare kundër qeverisë së krahut të djathtë të kryeministres italiane Giorgia Meloni nisi sot, me demonstrata të planifikuara në rreth 50 qytete të vendit.

Nxënësit e shkollave dhe studentët pritet t’u bashkohen shumë prej tubimeve, ndërsa sindikata USB ka bërë thirrje për greva në disa sektorë, përfshirë transportin publik urban dhe atë ndërqytetës, si dhe shërbimin shëndetësor.

Forca të shumta të sigurisë janë angazhuar në terren për shkak të shqetësimeve për shpërthimin e mundshëm të akteve të dhunës. Protestat drejtohen kundër koalicionit të Melonit, të përbërë nga tri parti të ekstremit të djathtë dhe konservatore, i cili qeveris Italinë prej katër vitesh.

Demonstruesit e bëjnë qeverinë përgjegjëse për inflacionin e lartë dhe pagat e ulëta.

Ndërkohë, studentët kërkojnë më shumë financime për shkollat dhe universitetet.

Ministri i Transportit, Matteo Salvini, nxori një urdhër për ndalimin e grevave në sektorin e transportit, përpara festës së të Gjithë Shenjtorëve, e cila kremtohet më 1 nëntor dhe përbën një nga ditët e rëndësishme të pushimit në vend.

Megjithatë, sindikata USB deklaroi se nuk do ta respektojë këtë ndalim dhe do të vijojë me grevën.

Autoritetet kanë njoftuar kontrolle më të rrepta policore dhe masa shtesë sigurie në shumë qytete, me qëllim parandalimin e trazirave.

Në Romë, masat janë përforcuar në zonën përreth Koloseut, atraksionit turistik më të vizituar të Italisë, ndërsa në Milano mbrojtje e posaçme është vendosur edhe për katedralen në qendër të qytetit.

Protestat e mëparshme, veçanërisht në Milano, kanë përfunduar në përleshje dhe trazira të rënda, megjithëse fillimisht kanë nisur në mënyrë paqësore. Për këtë arsye, demonstruesve u është kërkuar të shmangin përdorimin e kapuçëve dhe helmetave gjatë tubimeve. /abcnews