Lidhja jashtëmartesore me “spiunen” kineze, thyen heshtjen shefi i Nvidia-s
Jensen Huang, themeluesi dhe drejtuesi i Nvidia-s, ka pranuar tradhtinë ndaj bashkëshortes së tij, me të cilën është i martuar prej 40 vjetësh, duke kërkuar falje për lëndimin që u ka shkaktuar asaj dhe fëmijëve të tyre. Në një deklaratë të shpërndarë të dielën me punonjësit e kompanisë, Huangi tha se nuk ka asnjë justifikim për veprimet e tij.
“Veprimet e mia e lënduan atë dhe fëmijët tanë. Nuk ka asnjë justifikim për atë që bëra. Më vjen shumë keq”, u shpreh ai.
Duke iu drejtuar stafit të Nvidia-s, drejtuesi i kompanisë pranoi se kishte zhgënjyer edhe kolegët e tij dhe nuk kishte përmbushur përgjegjësinë që kishte ndaj tyre.
“Përgjegjësia ime është t’ju shërbej dhe të jem i denjë për besimin tuaj. Unë nuk e kam përmbushur këtë përgjegjësi”, tha Huang.
Në të njëjtën deklaratë, ai iu referua edhe dyshimeve për një operacion të mundshëm spiunazhi nga Kina, duke konfirmuar se do të bashkëpunojë me hetimin e nisur nga bordi drejtues i Nvidia-s.
“Lidhur me shqetësimet e sigurisë kombëtare të ngritura në raportet e lajmeve, Bordi i Drejtorëve të Nvidia-s ka nisur një hetim të pavarur. Unë e mbështes hetimin dhe do të bashkëpunoj plotësisht”, deklaroi ai.
“E dua vendin dhe kompaninë tonë. Jam i përkushtuar për të mbrojtur Nvidia-n dhe për të mbështetur sigurinë kombëtare të Amerikës. Jam krenar dhe mirënjohës që jam amerikan”, shtoi Huangi.
Dyshimet për drejtuesin e gjigantit amerikan të mikroçipave u ngritën pas raportimeve në mediat amerikane se ai kishte krijuar një marrëdhënie të afërt, përfshirë edhe atë personale, me një sipërmarrëse kineze, e cila dyshohet se i kishte përcjellë informacione Pekinit.
Në qendër të çështjes është Alice Huang, emri i vërtetë i së cilës është Huang Le, një sipërmarrëse kineze dhe drejtuese e kompanisë Megaspeed, me seli në Singapor. Sipas raportimeve, ajo ishte rekrutuar nga Ministria e Sigurisë Shtetërore e Kinës, institucioni përgjegjës për operacionet e inteligjencës së Pekinit. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse marrëdhënia me Huang ishte pjesë e një plani të mirëfilltë spiunazhi apo nëse shërbimet kineze e shfrytëzuan atë pasi kishte nisur kjo marrëdhënie.
Autoritetet amerikane kishin ngritur dyshime për një operacion të mundshëm që në pranverë. Sipas raportimeve, inteligjenca amerikane kishte përgatitur një memorandum me prova dhe informacione, i cili iu përcoll një grupi të kufizuar zyrtarësh të administratës Trump. Në dosje përfshiheshin edhe fotografi dhe video të Huangit dhe Alice-s së bashku në Taipei, gjatë viteve 2024 dhe 2025.
Vëmendja e autoriteteve amerikane ishte përqendruar edhe te kompania Megaspeed. Në vitin 2024, ajo ishte akuzuar për transferimin e paligjshëm të mikroçipave të prodhuar në SHBA drejt Kinës, në shkelje të kufizimeve të vendosura për arsye të sigurisë kombëtare. Sipas të dhënave të publikuara, kompania kishte blerë mikroçipa të avancuar të Nvidia-s me vlerë disa miliardë dollarë dhe kishte nisur ndërtimin e qendrave të të dhënave në Azinë Juglindore.
Ndërkohë, bordi drejtues i Nvidia-s bëri të ditur se hetimi i pavarur është nisur pas raportimeve se Jensen Huang ishte vënë në shënjestër të një operacioni të mundshëm të inteligjencës së huaj. Bordi theksoi se siguria kombëtare dhe ekonomike e SHBA-së është përparësi për kompaninë dhe aksionarët e saj.
“Megjithëse bordi nuk ka arsye të besojë se sekretet e sigurisë kombëtare ose ato të Nvidia-s janë komprometuar, hetimi do të shqyrtojë të gjithë informacionin e disponueshëm”, thuhet në deklaratë. Bordi konfirmoi gjithashtu se Huang e mbështet plotësisht procesin dhe është zotuar të bashkëpunojë.
Çështja ka marrë rëndësi të veçantë për shkak të përplasjes mes Uashingtonit dhe Pekinit për kontrollin e teknologjisë së avancuar dhe kufizimeve amerikane ndaj eksportit të mikroçipave drejt Kinës. Huangi ka kundërshtuar publikisht këto masa, duke argumentuar se SHBA-ja po humbet një treg me rëndësi strategjike për industrinë e inteligjencës artificiale.
Nga ana tjetër, Kina i ka mohuar akuzat për një operacion spiunazhi ndaj drejtuesit të Nvidia-s. Pas publikimit të raportimeve nga The New York Times muajin e kaluar, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, i cilësoi ato si të pabazuara.
“Raporti në fjalë bazohet në spekulime të pabaza dhe nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të njollosur Kinën”, deklaroi ai.
Ndërkohë, një grup ligjvënësish republikanë në Kongresin amerikan i kanë kërkuar Huangit të paraqitet në një seancë dëgjimore private përpara Komisionit për Kinën, ku pritet të japë shpjegime për çështjen dhe protokollet e sigurisë së kompanisë.