Të shtëna armësh pranë Shtëpisë së Bardhë, pesë persona të plagosur

Të shtëna armësh pranë Shtëpisë së Bardhë, pesë persona të plagosur

Bota November 12, 2026 - 15:38

Të shtëna me armë zjarri kanë tronditur një lagje të njohur të Washingtonit, vetëm pak minuta në këmbë nga Shtëpia e Bardhë, ku disa persona raportohet se janë plagosur.

Policia amerikane konfirmoi se disa persona janë qëlluar në zonën mes rrugëve 15th Street dhe P Street NW, pranë Logan Circle.

Siç raporton AP-ja, nga sulmi kanë mbetur të plagosur pesë persona, ndërsa i dyshuari ndodhet në arrati.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonën, ndërsa një pjesë e madhe e lagjes është rrethuar nga forcat e rendit.

Shkollat pranë vendit të ngjarjes janë vendosur nën masa sigurie, ndërsa disa rrugë janë bllokuar për shkak të pranisë së madhe të policisë.

Në vendngjarje kanë mbërritur edhe agjentë të Byrosë federale për Alkoolin, Duhanin, Armët e Zjarrit dhe Eksplozivët (ATF), për të ndihmuar në hetime.

Ende nuk janë bërë të ditura rrethanat e sulmit apo identitetet e personave të përfshirë.

Incidenti ndodh në një kohë kur Washingtoni vazhdon të jetë nën masa të shtuara federale të sigurisë, pas vendimit të presidentit Donald Trump në gusht të vitit 2025 për dislokimin e qindra pjesëtarëve të Gardës Kombëtare në kryeqytet, me synimin për të luftuar kriminalitetin.