Bastiset televizioni Gylenist në Turqi, qeveria merr drejtimin e tij dhe akuzohet për financim nga terrorizmi
Policia turke ka zhvilluar një operacion në televizionin opozitar Sözcü TV në Stamboll, ku janë shoqëruar disa persona, ndërsa qeveria ka emëruar një administrator për drejtimin e televizionit.
Operacioni u zhvillua mëngjesin e kësaj të marte, me urdhër gjykate. Autoritetet morën nën kontroll televizionin dhe faqen e tij te webit, ndërsa transmetimi i zakonshëm i lajmeve u ndërpre përkohësisht dhe u zëvendësua me dokumentarë.
Ndërhyrja lidhet me një hetim për dyshime mbi financimin e terrorizmit. Sipas Prokurorisë së Stambollit, Sözcü TV dyshohet se ka përfituar financime nga rrjeti i klerikut turk Fethullah Gulen, përmes transaksioneve të dyshimta bankare nga jashtë vendit.
Lëvizja Hizmet, e themeluar dhe drejtuar nga Gulen, i cili ndërroi jetë në vitin 2024 në Shtetet e Bashkuara te amerikes, është shpallur organizatë terroriste nga autoritetet turke në maj të vitit 2016, me emërtimin ‘’Fethullah Terrorist Organisation.’’
Ankaraja e akuzon rrjetin e Gulenit për krijimin e një strukture paralele brenda institucioneve shtetërore, përfshirë ushtrinë, policinë, drejtësinë dhe administratën publike. Autoritetet turke e konsiderojnë atë përgjegjës për organizimin e grushtit të shtetit të dështuar të vitit 2016, akuzë që Gulen e kishte mohuar.
Ndërkohë, pas disa orësh ndërprerjeje, Sözcü TV ka rifilluar transmetimin e edicionit të zakonshëm informativ.