Kelani: Obiliqi, Fushë Kosova dhe Novobërda kanë qenë nën Prishtinë deri më 1989

Kelani: Obiliqi, Fushë Kosova dhe Novobërda kanë qenë nën Prishtinë deri më 1989

Dosier October 06, 2023 - 20:13

I ftuar në emisionin e radhës “FAKTE me Adnan MEROVCIN” në Klan Kosova, ka qenë veprimtari i shquar, Rexhep Kelani i cili foli për komunën e Obiliqit në etapat historike e politike të zhvilluara gjatë dekadës së çlirimit, por jo vetëm.

Teksa rrëfeu me pak fjalë historikun e themelimit si komunë, ai tregoi se Obiliqi për 36 vjet ishte në kuadrin e Prishtinës.

Kjo pasi siç shprehet ai, në kushtetutën e vitit 1953 ajo u eliminua si e tillë dhe mbeti territorialisht në kuadër të tashmë kryeqytetit.

Përveç Obiliqit, Kelani thotë se nën kuadrin e Prishtinës ishte edhe komuna e Fushë Kosovës e ajo e Novobërdës.

“Tri komuna janë themeluar në vitin 1989, sepse më herët kanë qenë në kuadër të Prishtinës. Komuna e Obiliqit, e Fushë Kosovës dhe e Novobërdës kanë qenë Prishtinë, dhe në 1989 me një vendim të veçantë të Komitetit Qendror të Serbisë janë themeluar këto tri komuna. Do të thotë, Obiliqi ka histori të viti 1946 që ka qenë komunë deri në vitin 1953, me kushtetutën e viti 1953 do të thotë është eliminuar si komunë dhe ka mbet territorialisht në kuadër të komunës së Prishtinës deri në vitin 1989. Në 1989 ajo u riemërua si komunë, normalisht nën politikën serbe”, tregoi ai.