Abuzimi me çmime në tenderin për 'Furnizim me bukë'

Abuzimi me çmime në tenderin për 'Furnizim me bukë'

Ekonomia June 26, 2019 - 08:06
Lexoni detajet
Image

Më 30 nëntor të vitit që lamë pas Komuna e Gjakovës ka nënshkruar kontratë me operatorët ekonomikë “Mabes” dhe “Landi Star 1” për “Furnizim me bukë dhe me produkte të saj”. Për produktet e domosdoshme OE-të kanë ofruar me çmime të përafërta me ato të tregut e derisa për produkte siç është byreku kanë ofruar çmim gati katër herë më të ulët sesa është çmimi i tij realisht në treg. Në bazë të dokumenteve të siguruar shihet se për më shumë se katër muaj Komuna nuk e ka shpenzuar asnjë byrek, i cili sipas kontratës ka çmim prej 0,20 eurosh, shkruan sot Gazeta 'Zëri"

Një proces i prokurimit për “Furnizim me bukë dhe me produkte të saj”, i realizuar nga Komuna e Gjakovës në fund të vitit që lamë pas, po dyshohet të jetë përdorur me çmime abuzuese, pasi operatorët ekonomikë me të cilët tashmë Komuna ka nënshkruarkontratë për disa produkte kanë ofruar çmim shumë më të ulët sesa është çmimi i tregut.

LEXO EDHE: Kosova, kampione në përdorimin e antibiotikëve

Për produktet që janë të domosdoshme siç është buka, kompanitë që tashmë kanë të nënshkruar kontratën me Komunën kanë ofruar çmim të përafërt me atë të tregut, shkruan më tutje Gazeta 'Zëri'. 

Derisa për produktet siç është byreku operatorët ekonomikë “Mabes” dhe “Landi Star 1” kanë ofruar me çmim gati katër herë më të ulët sesa është çmimi i tij realisht në treg.

Sipas dokumenteve të siguruara shihet se kontrata mes autoriteti kontraktues, në këtë rast Komunës së Gjakovës dhe operatorëve ekonomikë, është nënshkruar më 30.11.2018 dhe ka filluar të zbatohet menjëherë.

Duke u bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Zyrtare gazeta “Zëri” nga zyra e kryetarit të Komunës së Gjakovës Ardian Gjini ka siguruar komplet dokumentacionin për këtë proces të prokurimit e ku dyshimet për abuzim me çmim i vulos edhe raporti i fundit i menaxherit të kësaj kontrate Ednor Emra.

Në bazë të këtij raporti shihet se autoriteti kontraktues për produktin që ka çmim më të lartë prej 0,40 eurosh, siç është “Bukë e bardhë me rriska 500 gramë” nga koha e nënshkrimit të kontratës e deri më 31 mars të këtij viti ka porositur sasi më të madhe, derisa për byrek që ka çmim sipas kontratës prej 0,20 eurosh nuk e ka kërkuar asnjë.

Po ashtu edhe produktet tjera që kanë çmim prej 0,10 eurosh janë kërkuar fare pak nga autoriteti kontraktues.

Por pavarësisht çmimeve të dukshme manipuluese, një gjë të tillë po e mohojnë zyrtarë të kësaj Komune.

“Ju sqarojmë se çmimet mund të jenë më të larta/më të ulëta se çmimi i tregut,por nuk ka mundësi manipulimi, sepse kontraktuesi ka ofertuar me ato çmime dhe sipas kontratës kontraktuesi duhet që minimum të realizojë 70% të secilit pozicion-artikulli (është detyrë e menaxherit të kujdeset që kjo të përmbushet), prandaj mendojmë se nuk mund të thuhet se ka pasur manipulim me çmime në këtë proces prokurimi”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Gjakovës.

Gazeta ka provuar të kontaktojë me kompaninë kontraktuese, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Në këtë formë Komuna e Gjakovës kishte përdorur edhe në procese të tjera siç është ai për servizim të automjeteve e ku operatori i kontraktuar nga Komuna po ashtu kishte përdorur çmime abuzive.

Asnjë byrek për 4 muaj

Duke u bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Zyrtare, gazeta “Zëri” ka siguruar nga kabineti i kryetarit të Komunës së Gjakovës Ardian Gjini komplet dokumentacionin për këtë proces të prokurimit.

Në raportin e menaxherit të kontratës Ednor Emra shihet se gjatë kësaj periudhe kohore autoriteti kontraktues nuk ka marrë asnjë byrek nga operatorët ekonomikë, me të cilët ka nënshkruar kontratë.

“Sasia e produkteve të harxhuara për bukë dhe për produktet e saj prej datës së nënshkrimit të kontratës 30.11.2018 e gjerë më 31.03.2019 është si vijon: Institucioni parashkollor ‘Ganimete Tërbeshi’ ka harxhuar 3140 copë bukë të bardhë, 2020 kifle më gjizë, kifle me krem 740 copë, derisa byrek më gjizë nuk e ka harxhuar asnjë. Derisa konvikti i studenteve ‘Sadik Stavileci’ ka shpenzuar 7665 bukëme rriska, kifle të gjata 1,380 copë, derisa byrek nuk e ka harxhuar asnjë”, thuhet në raportin e menaxherit të kësaj kontrate Ednor Emra.

Në garë dy operatorë ekonomikë, njëri i papërgjegjshëm

Gjithnjë duke u bazuar në dokumentet e siguruar nga gazeta “Zëri” shihet se për këtë proces prokurimi dokumentacionin e tenderimit e kishin tërhequr disa kompani, por në garë kanë marrë pjesë vetëm dy.

Në bazë të procesverbalit të hapjes së dosjes së tenderit shihet se kompania NPZ “Vullneti” kishte ofertuar 15,789 euro, derisa grupi i operatorëve NPT “Mabes” & NTSH “Landi-Star 1” me të cilin Komuna tashmë e ka të nënshkruar kontratën ka ofertuar 17,211 euro.

Por Komisioni Vlerësues, Besim Haxhija kryesues, Fatmir Naka anëtar, si dhe Din Mahmutaj anëtar, ofertën e kompanisë NPZ “Vullneti” e kanë vlerësuar si të papërgjegjshme, pasi pjesa C te formulari i dosjes së tenderit nuk është plotësuar si duhet, e cila sipas tyre është në kundërshtim me pikën 18.3 te Rregullat dhe Udhëzuesi Operativ për Prokurimin Publik.

“Pas ekzaminimit juve si operatorë ekonomikë ju mungon: lista e furnizimeve të realizuara në tre vjetët e fundit, libreza e automjetit transportues adekuat për transport të bukës (i regjistruar). Edhe nëse nuk kemi qenë në gjendje t’i përdorim shërbimet tuaja kësaj herë, besojmë se do të vazhdoni të shfaqeni interesim për nismat tona të ardhshme të prokurimit”, thuhet në letrën standarde të eliminimit, e cila i është dorëzuar kompanisë në fjalë nga zyrtari i prokurimit në këtë Komunë Alban Bakalli.

Nuk ka hetime nga Prokuroria

Gazeta “Zëri” për këtë çështje i ka dërguar pyetje edhe Prokurorisë Themelore të Gjakovës nëse kanë zhvilluar ndonjë hetim për këtë proces prokurimi. Por zëdhënësja e këtij institucioni Yllka Juniku-Shehu thotë se deri më tash Prokuroria nuk ka iniciuar ndonjë hetim për këtë proces të prokurimit.

Krasniqi: Loja e manipulimit të ofertave është një praktikë mjaft e përhapur

Por në anën tjetër monitorues të proceseve të prokurimit në vend thonë se manipulimi me çmime është bërë rregull nëpër procese të ndryshme të prokurimit.

Diana Metushui-Krasniqi, nga KDI-ja, thotë se fatkeqësisht loja e manipulimit të ofertave është një praktikë mjaft e përhapur në institucionet e Kosovës.

Sipas saj, jorrallë është dëshmuar se kërkesat për furnizime osepër shërbime përmbajnë produkte, ose kërkesa për të cilat institucionet janë në dijeni që nuk kanë nevojë.

“Kjo është një metodë e favorizimit të operatorëve të caktuar, sepse ata të cilët e kanë këtë informatë ofertojnë më çmime jonormalisht të ulëta për produktet e panevojshme për të ulur vlerën totale të ofertës. Ata ofertojnë me çmime më të larta në produktet për të cilat janë në dijeni se janë të nevojshme, duke rritur fitimin e tyre”, ka thënë ajo për gazetën “Zëri”.

Sipas saj, përderisa nuk ndryshohen dispozitat ligjore lidhur me planifikimet e blerjeve, duke u bazuar në nevojat dhe në blerjet nga kontratat paraprake, me ç’rast në lista do të përfshiheshin vetëm produktet e nevojshme, si dhe vlerësimi i ofertave të bëhet për linjë/çmimi për produkt, atëherë do të vazhdojmë të ballafaqohemi me këso situatash, të cilat dëmtojnë buxhetin e Komunës osetë institucioneve në përgjithësi për përfitime të individëve të caktuar.