Deri me tani Serbia ka eksportuar në Kosovë 8 kamionë me grurë, misër e miell

Deri me tani Serbia ka eksportuar në Kosovë 8 kamionë me grurë, misër e miell

Ekonomia March 27, 2020 - 10:52

Prej 21 marsit, kur kryministri Albin Kurti kishte hequr taksën 100 për qind në importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnja, Serbia në Kosovë ka eksportuar 8 kamionë me lëndë të parë, kryesisht grurë, misër dhe miell, shkruan "Zëri.info".

Megjithëse Kurti kishte hequr taksen në importin e lendës së pare nga Serbia dhe Bosnja, për një kohë kufiri i Kosovës me Serbinë ka qenë i mbyllur dhe Serbia nuk ka lejuar që të futen mallra në Kosovës e as të importohen mallra nga Kosova. Oda Ekonomike e Serbisë ka njoftuar se që nga dita enjte kamionët me mallra pa asnjë pengesë hyjnë në Kosovës në vendkalimin në Mërdare dhe kthehen duke respektuar masat e kontrollit shëndetësor të shoferëve.

“Deri me tani janë eksportuar 8 kamionë me grurë, misër dhe miell në tregun e Kosovës, kamioni i parë është dërguar me 23 mars”, ka shpjeguar kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Nenad Gjurgjeviq, duke folur për mediet serbe. Ai ka shtuar se kjo nuk është sasi e madhe e mallrave, por që pret që gjendja do të shkojë duke u përmirësuar. Ai ka sqaruar se është zgjidhur problemi i komentimeve të ndryshme të organeve kompetente që shoferët që transportojnë mallin nga Serbia në Kosovë, pas heqjes së taksës në lëndën e parë, duhet të shkojnë në karantinë për shkak të koronavirusit. Sipas tij, të gjithë furnizuesit kanë qenë të obliguar që të gjejnë partnerë të tjerë, andaj nevojitet kohë që të arrihet niveli i shkëmbimit të mallrave në mes të Kosovës dhe të Serbisë.

“Tani do të shohim nëse Qeveria e Kosovës do ta heq taksën në importin e produkteve ë Serbisë dhe Bosnjës nga 1 prilli, ose do të ketë kërkesa shtesë për plasimin e mallrave në tregun e Kosovës. Jemi dëshmitarë se subjektet më të mëdha politike në Kosovë angazhohen që taksa të hiqet pa kushte”, ka thenë Gjurgjeviq. E ndërkaq, sipas ministrit serb të Tregtisë, Rasim Lajiq, Serbia ka humbur për një vit mbi 400 milionë euro për shkak të ndalimit eksportit të mallrave në tregun e Kosovës.

Ndryshe, Qeveria “Haradinaj” në nëntorin e vitit 2018 pati vendosur taksen 100 në importin e produkteve të Serbisë dhe të Bosnjës, si dhe të brendeve të huaja që prodhojnë në Serbi, ndërkaq Kurti ka hequr taksën 100 në importin e lendës së parë nga Serbia me 21 mars, duke paralajmëruar se me 1 prill do ta heq edhe taksen 100 në importin e produkteve të Serbisë dhe të Bosnjës, duke e zëvendësuar atë me masen e reciprocitetit./ZERI