Kërkohet përfshirja e medieve në skemën e Qeverisë

Kërkohet përfshirja e medieve në skemën e Qeverisë

Ekonomia March 30, 2020 - 13:19

Oda e Afarizimit të Kosovës ka kërkuar që urgjentisht të përfshihen mediat në skemën e Qeverisë së Kosovës për pagë shtesë, përcjell “Zëri.info”.

“OAK ripërsërit kërkesën e saj të bërë tek Qeveria, që mediat të përfshihen në skemën e Qeverisë për pagë shtesë ashtu siç parashihet me pikën 6. Kjo bëhet në bazë të diskutimit që OAK ka bërë me mediat anëtare, të cilat kanë shfaqur shqetësim të madh si rezultat i gjendjes së krijuar dhe rrezikut që janë duke u përballur, me qëllim të informimit të shpejtë dhe të saktë të qytetarëve”, thuhet në reagimin e tyre.

Sipas kësaj Ode, puna e mediave në terren paraqet rrezik për infeksion me virus. OAK ka kërkuar nga mediat që të raportojnë edhe mbi gjendjen e tyre dhe për ballafaqimin e tyre me rrezikun në këtë kohë pandemie.

“Puna e mediave në terren, paraqet jo vetëm rrezik të drejtpërdrejtë për punën e tyre por gjithashtu ata janë duke rrezikuar edhe familjet e tyre nga një infeksion potencial. OAK vlerëson që Qeveria duhet të trajtojë të gjithë qytetarët e barabartë në këtë kohë të rëndë me të cilën jemi duke u përballur të gjithë. OAK kërkon edhe nga mediat, që ashtu siç janë duke raportuar në baza të rregullta për të gjitha zhvillimet dhe janë duke përkrahur institucionet dhe bizneset, të raportojnë edhe për gjendjen e tyre jo të mirë në këtë kohë”, thuhet ndër të tjera në reagim. /ZËRI