OAK kërkon pezullimin e përkohshëm të pagesës së qirasë për bizneset e sektorit minerar

OAK kërkon pezullimin e përkohshëm të pagesës së qirasë për bizneset e sektorit minerar

Ekonomia March 31, 2020 - 12:21

Oda e Afarizmit të Kosovës i është drejtuar me një letër Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e ku kanë kërkuar pezullimin e përkohshëm të qirasë për bizneset e minierave, mineraleve dhe gurëthyesve, përcjell “Zëri.info”.

Njoftimi i plotë i tyre:

Në një letër përmes së cilës Oda e Afarizmit të Kosovës i drejtohet Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Besian Mustafa, kërkohet që të bëhet pezullimi i përkohshëm i qirasë që bizneset e minierave/mineraleve/gurëthyesve duhet të paguajnë tek Agjencia e Pyjeve të Kosovës.

Arsye kryesorë e kërkesës së OAK-së është se bazuar në masat e fundit të Qeverisë për ballafaqimin dhe parandalimin e përhapjes së epidemisë Covid-19, është bërë ndalimi i punës së shumë sektorëve dhe punën me kapacitete të limituara e kanë vazhduar disa sektorë të tjerë.

Një situatë e tillë ka rezultuar me mungesë të gjenerimit të të hyrave për këto biznese, ndërsa qiraja po përllogaritet.

Duke pas parasysh që aktualisht, bizneset janë duke u përballur me vështirësi të shumta për shkak të obligimeve që kanë, OAK konsideron që një masë e tillë do të lehtësonte sadopak kontributin në këtë drejtim./ZËRI