Rukiqi thotë se duhet sa më shpejt të zbatohet Pakoja Emergjente

Rukiqi thotë se duhet sa më shpejt të zbatohet Pakoja Emergjente

Ekonomia June 17, 2020 - 13:53

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se Pakoja Emergjente duhet të fillojë të zbatohet sa më shpejt dhe rishikimi i buxhetit të bëhet në afatet më të shpejta, transmeton “Zeri.info”.

Përmes një postimi në “Facebook” Rukiqi ka shkruar se sektorëve që vazhdojnë të përballen me rënie drastike duhet t’u mundësohet riprogramimi i kredive. “Pakoja emergjente, nëse mund të quhet emergjente, duhet të implementohet sa më shpejt që është e mundur, prandaj rishikimi i buxhetit duhet të bëhet në afatet më të shpejta. Gjithashtu për sektorët që vazhdojnë të përballohen me rënie drastike të qarkullimit duhet të mundësohet riprogramimi i kredive, konform aftësisë paguese që e kanë”, ka thënë ai.

Tutje, ai thotë se shumica e bizneseve nuk po arrijnë të qarkullojnë me shumë se 50% në raport me planifikimet dhe se pakoja e rimëkëmbjes është shpresa e vetme nga një “kataklizëm” i mundshëm ekonomik.

“Shumica e bizneseve në vend nuk po arrijnë të qarkullojnë më shumë se 50% në raport me planifikimet ose me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Çdo skenar parasheh së paku 5% tkurrje ekonomike. Pakoja e rimëkëmbjes është shpresa dhe rrugëdalja e vetme nga një ‘kataklizëm’ i mundshëm ekonomik, me pasoja të pariparueshme për dekada te tëra”, ka përfunduar Rukiqi.