Rukiqi: Pandemia do t’ia humbë Kosovës 10 mijë vende të punës

Rukiqi: Pandemia do t’ia humbë Kosovës 10 mijë vende të punës

Ekonomia July 07, 2020 - 16:13

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, i ftuar në emisionin “Drive time me Arin dhe Bernën” në “Radio Prishtina”, deklaroi se Kosova, si pasojë e pandemisë, do të pësojë humbje ekonomike prej 5 për qind dhe humbje të së paku 10 mijë vendeve të punës.

“Kemi analiza të ndryshme që Kosova të ketë një tkurrje ekonomike prej 5 për qind, ndërsa humbja e vendeve të punës mund të shkojë deri në 10.000”, deklaroi Rukiqi, raporton “Zeri.info”.

Ndërsa për masat e reja, të cilat i ka ndërmarrë Qeveria prej ditës së djeshme, Rukiqi thotë se janë masa të dëmshme për ekonominë e vendit, duke shtuar se mbyllja e gastronomisë nuk ishte e qëlluar.

“Masat e reja kufizuese do të jenë mjaft të rënda për ekonominë. Ne jemi duke rritur subvencionet tona që të përkrahim këto biznese. Ne kërkojmë që bizneset që shkelin masat të mbyllen dhe jo të gjitha në përgjithësi. Shteti ynë nuk ka krijuar një databazë. Ne pajtohemi që rrezikun më të madh e ka gastronomia për shkak të turmës, por e cek prapë që masat duhet të jenë vetëm për lokalet, të cilat po i shkelin masat, jo të gjitha”, potencoi Rukiqi.

Tutje, në intervistën për “Radio Prishtinën” Rukiqi shtoi se pret që Qeveria të përkrahë gastronominë, transportin etj., pasi siç thotë ai pandemia është një realitet i ri dhe do të qëndrojë më gjatë.

“Ne presim vendime këtë javë që të përkrahin gastronominë, transportin etj. dhe masat t’i rishikojnë edhe një herë, varësisht nga gjendja. Jemi të rinj në gjëra bazike që realisht po mundohemi t’i praktikojmë, tani duhet të vetëdijesohemi për masat mbrojtëse, për maska, distancën dhe higjienën personale, pasi virusi do të qëndrojë gjatë me ne”, tha Rukiqi.

Ndërsa për Pakon Emergjente ai tha se ka shpresë pas rishikimit të buxhetit. /Zëri