Hoti: Qeveria ka paraparë që transportuesit të jenë pjesë e Pakos për rimëkëmbje

Hoti: Qeveria ka paraparë që transportuesit të jenë pjesë e Pakos për rimëkëmbje

Ekonomia July 28, 2020 - 17:30

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, së bashku me ministrin e Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka pritur në takim drejtuesit e Shoqatës së Transportuesve të Kosovës me të cilët kanë diskutuar për gjendjen aktuale në këtë sektor.

Në këtë takim, Hoti ka theksuar se në Pakon ekonomike janë të përfshirë edhe transportuesit e vendit.

“Me Pakon e rimëkëmbjes ekonomike, Qeveria ka paraparë në detaje kujdesin për secilin sektor të ekonomisë, duke përfshirë edhe transportuesit e vendit”, tha Hoti.

Ndërkaq, në emër të transportuesve, Ruzhdi Kurtishaj ka thënë se pandemia i ka goditur shumë ata pasi edhe numri i udhëtarëve ka rënë dukshëm.

“Nga Qeveria e Republikës së Kosovës po kërkojmë subvencionimin e trafikut urban dhe ndërurban, që mbahet kryesisht nga kompanitë private, sepse, nëse nuk kemi ndihmë, ne nuk do të mund të funksionojmë”, tha Kurtishaj./Zëri/