Bordi i përkohshëm propozon testimin e të gjithë stafit të KEK-ut

Bordi i përkohshëm propozon testimin e të gjithë stafit të KEK-ut

Ekonomia August 28, 2020 - 10:50

Bordi i përkohshëm i drejtorëve të KEK-ut në mbledhjen e mbajtur sot, ka marrë një sërë vendimesh me rëndësi për korporatën.

Në vendimet e reja të Qeverisë në funksion të menaxhimit të vazhdueshëm të pandemisë COVID-19, Bordi i përkohshëm ka udhëzuar menaxhmentin t’i fillojë menjëherë procedurat e nevojshme ligjore dhe administrative për testimin e të gjithë stafit të korporatës me testim serologjik dhe për këtë ka ndarë edhe mjetet e nevojshme financiare.

“Bordi i përkohshëm gjithashtu ka shqyrtuar dhe miratuar raportet e performancës gjashtë mujore dhe atë të pasqyrave financiare në korporatë deri me 30.06.2020”, thuhet në njoftim.

Po ashtu Bordi i përkohshëm ka kërkuar mobilizim shtesë të menaxhmentit në adresimin e gjetjeve të auditorit të jashtëm dhe atij të brendshëm, gjithnjë në funksion të përmirësimit të performancës operative e financiare dhe në instalimin e kontrolleve të mirëfillta të brendshme.

Në fund, Bordi përkohshëm ka inkurajuar menaxhmentin që të vazhdojë pergatitjet për jetësimin e një studimi të mirëfilltë të fizibiliteit për Termocentralin Kosova A dhe hartimin e një strategjie zhvillimore të korporatës. /Zëri